Foto: KALLXO.com
Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për të dyshuarit për rastin e vrasjes së zyrtarit policor Muhamet Lika?
Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Haki Belës, Rilind Muratit, Vatan Çakës, Edmond Likës, Shkëlqim Kukës dhe Diamant Gashit, të dyshuar për rastin e vrasjes së policit të Kosovës nga Kaçaniku, Muhamet Lika.
Këta gjashtë persona dyshohet se organizuan vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika në Kaçanik më 01.04.2025, teksa dorasi R.B. dyshohet se është i moshës së mitur.
KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Ferizajt ndaj gjashtë të dyshuarve.
Në dosje të Prokurorisë përshkruhen veprimet e të pandehurve në ditën kritike.
Në dosje të Prokurorisë thuhet se më 01.04.2025 rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, në hyrje të ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta zyrtarin policor Muhamet Lika.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i mituri R.B. me dashje dhe përgatitje paraprake, ka vrarë zyrtarin policor Muhamet Lika.
Në dosje përshkruhet se rreshteri Lika pas përfundimit të orarit të punës rreth orës 22:50 rrugës për në banesën e tij ishte përcjellë në vazhdimësi nga të dyshuarit e moshës madhore deri te hyrja e banesës së tij, dhe pasi ai hyn në objektin e banesës ku jetonte, duke u ngjitur shkallëve, i mituri R.B. i shkon nga prapa dhe pasi që viktima hyn në ndërtesë pas tij hyn edhe i mituri dhe porsa e takon tashmë të ndjerin ka shtënë në të me me armë zjarri.
Sipas dosjes, R.B. pas kryerjes së vrasjes ik nga vendi i ngjarjes në drejtim të një lokali, ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”.
Në pamjet e kamerave vërehet i pandehuri Haki Bela, i cili e përcjell zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni, duke i shkuar prapa e pas kryerjes se veprës penale nga i mituri R.B., rreth 14 minuta pas në afërsi të vendit të ngjarjes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar, i pandehuri Vatan Çaka është parë në shoqëri të të pandehurve Rilind Murati dhe të miturit R.B., dhe të njëjtit para kryerjes se veprës penale vërehen duke vëzhguar vendin e ngjarjes.
Në dosje thuhet se i pandehuri Edmond Lika në bazë të video-incizimeve është parë në shoqëri të të pandehurve dhe së bashku me të pandehurin Shkëlqim Kuka e përcjellin rreshterin Muhamet Lika nga dalja nga stacioni policor, ku i pandehuri Edmond Lika deri sa ka qenë në veturën “Opel Astra” me të kaluar viktima del nga vetura pronë e te pandehurit Shkëlqim Kuka dhe vazhdon me veturën “Golf II” në përcjellje të viktimës ndërsa i pandehuri Shkëlqim Kuka vazhdon me veturën “Opel Astra” duke e përcjellë viktimën.
Në dosje thuhet se i pandehuri Diamant Gashi përmes telefonit kontakton të pandehurin Haki Bela dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë në ushqim dhe gjëra të tjera të miturit R.B.
Tutje në dosje thuhet se në vend të ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm ndërsa nga plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit ka ndërruar jetë zyrtari policor Muhamet Lika.
Të dyshuarit Haki Bala, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, dhe Shkëlqim Kuka në dosje të Prokurorisë thuhet se kanë të kaluar kriminale.
Prokuroria e Ferizajt ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë, dhe se kjo rezulton nga provat të cilat janë siguruar deri në këtë fazë të procedurës dhe të cilat gjenden në shkresat e lëndës.
Prokuroria pas analizimit të kallëzimit penal dhe shkresave të lëndës ka konsideruar se në këtë çështje penale ekzistojnë provat të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar si dhe janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
Prokuroria ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për masën e paraburgimit, ngase me lënien e të pandehurve në liri të plotë dhe të pakufizuar në lëvizje, ekziston rreziku i ikjes dhe mossigurimi i pranisë së të pandehurve në procedurë gjyqësore duke ditur se të njëjtit nga dita e kryerjes së veprës u janë shmangur qëllimisht organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë mund të pengohet rrjedha e procedurës penale.
Tutje, Prokuroria ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, sepse të njëjtit po të lihen në liri do të mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, të asgjësojnë provat apo të ndikojnë në dëshmitarë, si dhe ka përmendur edhe të kaluarën kriminale të të pandehurve.
Tutje në dosje thuhet se Prokuroria ka pasur parasysh masat e tjera alternative, mirëpo pas vlerësimit te tyre ka konstatuar se janë të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale, dhe i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të caktojë masën e paraburgimit.
Gjykata e Ferizajt sot, më 22.04.2025, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj 6 të pandehurve.
Më 21.04.2025, në një aksion të gjerë policor u arrestua grupi që dyshohet për vrasjen e rreshterit policor në Kaçanik.
KALLXO.com raportoi ekskluzivisht për masën të cilën kishte në të kaluarën kriminale për të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika.
KALLXO.com zbuloi se i mituri R.B. ishte i njohur për drejtësinë. Kjo pasi që ishte dënuar me masë institucionale edukative për një vepër penale atë të dhunimit. Por këtë masë i mituri nuk e vuajti dënimin asnjëherë, pasi nuk iu përgjigj atij dënimi, ndërsa për këtë ishte vendosur edhe në listën e personave në kërkim me urdhër-arrest. Ky urdhër-arrest ishte aktiv edhe gjatë kohës sa ishte kryer vrasja deri tek arrestimi i të njëjtit.
Gjykata e Ferizajt tashmë ndaj R.B. ka caktuar masën e paraburgimit.
KALLXO.com ka publikuar edhe deklaratat e të pandehurve të dhëna sot, më 22.04.2025, në Gjykatën e Ferizajt.
Dosja: Çka deklaruan në Gjykatë gjashtë të dyshuarit për vrasjen e rreshterit policor në Kaçanik?
Haki Bela 25-vjeçar, Diamant Gashi 21-vjeçar, Rilind Murati 21-vjeçar, Vatan Çaka 19-vjeçar, Edmond Lika 22-vjeçar dhe Shkëlqim Kuka 22-vjeçar u dërguan në paraburgim nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer organizimin dhe vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika, më 01.04.2025 në objektin e banesës së tij e cila gjendet në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.
KALLXO.com zbulon se çka thanë të dyshuarit në lidhje me veprimet të cilat dyshohet se i kreu grupi në natën kritike, veprime këto për çka po i ngarkon prokurori i rastit Ismet Rrahmani.
Në sallën e Gjykatës së Ferizajt në të cilën u mbajt seanca e procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve, Haki Bela ka shprehur keqardhje për familjen e rreshterit policor në lidhje me rastin.
Ai ka mohuar të jetë i involvuar në këtë ngjarje deri sa ka kërkuar nga Gjykata që t’i caktohet një masë më e lehtë për shkak se është i vetmi që mban familjen në aspektin financiar.
Haki Bela është edhe vëllai i të miturit R.B., 17-vjeçar, i cili dyshohet se ishte dorasi i vrasjes së rreshterit policor, Muhamet Lika.
“Personalisht e përshëndet familjen e viktimës Muhamet Lika, ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur por shton se mund të ndodh diçka mes familjes së tij dhe familjes së të ndjerit. Shton se është plotësisht i pafajshëm në lidhje me këtë çështje penale dhe i vetmi fakt është që ai e ka lokalin në afërsi të vendit të ngjarjes dhe atë rreth 200 metra distancë, po ashtu shton se shtëpia ku ai banon me stacionin policor në Kaçanik i kanë rreth 100 metra distancë dhe se ai e frekuenton çdo ditë atë rrugë”- është shprehur në seancën e sotme (22.04.2025) i pandehuri Bela sipas dosjes së Gjykatës të siguruar nga KALLXO.com.
Në bazë të dosjes, i pandehuri ka thënë se ai personalisht e as familja e tij asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem me të ndjerin apo familjen e tij.
Një tjetër i pandehur është edhe Diamant Gashi, 21-vjeçar. Edhe ky ngjashëm si Bela ka mohuar të jetë i involvuar në këtë ngjarje.
“Në ditën kritike ka qenë në shtëpi, nuk ka kryer asnjë nga veprimet të cilat u cekën në kërkesën për caktimin e masës nga ana e Prokurorisë. Pra ndihet tërësisht i pafajshëm dhe shton se lajmin për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika e ka marrë nga ana e prindit të tij dhe atë në mëngjes të ditës së nesërme”- është deklaruar në Gjykatë në seancën për caktimin e masës së sigurisë Diamant Gashi.
Rilind Murati, 21-vjeçar, i cili për një vit shërbeu si pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës e më pas me kërkesë të tij u bë edhe demobilizimi i tij nga ky institucion ushtarak, ka mohuar të jetë përfshirë në rast.
“E mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës. Nuk kam tjetër çka të deklaroj përpos që është plotësisht i pafajshëm dhe nuk është i involvuar në këtë çështje penale”- citohet Murati sipas dosjes së Gjykatës.
Tutje KALLXO.com zbuloi edhe deklarimin e 19-vjeçarit Vatan Çaka. Para gjyqtares së procedurës paraprake, Fitore Daci, Çaka ka thënë se kishte shkuar në vendin e ngjarjes nga kureshtja pasi kishte marrë vesh se një veteran i UÇK-së ishte vrarë.
“I mbështet deklarimet e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të deklarojë, shton se nuk është absolutisht i involvuar në këtë çështje penale. Natën kritike pasi që ka dëgjuar alarme të shumta të Policisë ka shkuar në vend ngjarje vetëm nga kureshtja për të parë se çfarë ka ndodhur aty, pasi që paraprakisht nga rrjetet sociale e ka kuptuar që bëhet fjalë për një viktimë, veteran i UÇK-së, gjithashtu shton faktin se këtë e ka bërë sepse e ka prindin veteran të UÇK-së dhe i njëjti ende vuan nga pasojat e traumave të luftës dhe absolutisht në asnjë mënyrë nuk ka mundur t’ia bëjë një gjë të tillë një ish- veterani të luftës së UÇK-së”- është deklarimi i 19-vjeçarit siç përshkruhet në dosje.
Edmond Lika, 22-vjeçar, është i pandehuri i pestë, i cili sot doli para gjyqtares së procedurës paraprake për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika.
“Mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka deklaron, shton se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale dhe në vendin ku ka qenë së bashku me Shkëlqim Kukën ka qenë krejt rastësisht”- është deklaruar Lika.
I fundit është Shkelqim Kuka, 22-vjeçar. Ngjashëm edhe ky kishte mohuar involvimin e tij në rast.
“E mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të shtojë përpos faktit se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale”- thuhet në dosjen që ka siguruar KALLXO.com.
Nën masa të rrepta të sigurisë, me pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë e ata të Njësisë Speciale Operative u sollën të pandehurit në Gjykatën e Ferizajt.
Nga ora 13:00 ishte planifikuar që të niste seanca për caktimin e masës së sigurisë ndërsa për disa orë rresht të pandehurit qëndruan brenda sallës. Dalja e tyre nga objekti i Gjykatës së Ferizajt u bë pas orës 17:00.
Edhe kur dolën nga Gjykata nëpër vetura bashkë me hetuesit policorë, të pandehurit u dërguan nëpër qendra të paraburgimit nën përcjellje të njësive speciale për shkak të sigurisë.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj gjashtë të pandehurve të cilët dyshohet se organizuan vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika u mbajt me dyer të mbyllura për shkak të numrit të lartë të të pandehurve si dhe policëve që ofruan rend dhe siguri brenda gjykatores.
Për të miturin 17-vjeçar, R.B., i cili dyshohet se është dorasi, seanca për caktimin e masës së sigurisë u mbajt më 21.04.2025 për shkak se ai u dërgua në ndalim për 24 orë dhe do të procedohet si i mitur në këtë rast.
Të shtatë të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për një muaj ndërsa KALLXO.com raportoi ekskluzivisht për veprimet të cilat dyshohet se grupi i bëri në natën kritike kur u vra rreshteri Lika.