Cilësia e ajrit sipas Institutit Hidrometeorologjik

Matësit e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës sot kanë treguar ndotje të madhe të ajrit.

Sipas matësve të vendosur në Mitrovicë dhe në qendër të Prishtinës ndotja e ajrit është shumë e madhe.

Ajër me cilësi të dobët po ashtu është edhe në Prizren, Pejë, Obiliq, Prishtinë (IHMK), Gjilan dhe Drenas, ndërsa ajër me cilësi mesatare është në Han të Elezit.

Matësit nuk kanë treguar të dhëna në Dardhishtë dhe Palaj, kurse ajër me cilësi të pranueshme sot ka vetëm Brezovica.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit.

Ky rrjet është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil.

Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë dhe ligjeve vendore.

Bazuar në kriteret e lartpërmendura stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë (Brezovicë), Hani i Elezit dhe Gjilan.

Duke klikuar në linkun e më poshtëm ju mund të merrni informata rreth rëndësisë së cilësisë së ajrit – LINK 

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.