Mbjellja e drunjve në qytetin e qymyrit dhe tymit

Organizata joqeveritare “Keep it Green” ka mbjellë disa pemë në tri shkolla publike të komunës së Obliqit. Ata synojnë që deri në fund të muajit maj t’i mbjellin 600 drunj të llojit pishë dhe ‘Catalpas’.

Ky projekt mbështetet nga EULEX-i, në kuadër të projektit “Carbon Offsetting through Tree Planting Initiative” (Mënjanimi i karbonit përmes iniciativës për mbjelljen e drunjve).

“E konsiderojmë që në shkolla dhe në ambiente publike është shumë e nevojshme që të mbillen drunj dhe pisha në përgjithësi, sepse konsiderojmë që ka mungesë të tyre”- thotë Guxim Klinaku, drejtor ekzekutiv i ‘Keep it Green’.

Të përfshira në këtë projekt janë 12 shkolla, dhe gjatë mbjelljes së këtyre pemëve ata ftojnë edhe nxënësit t’iu bashkëngjiten.

Klinaku ka treguar se kostoja e projektit është 18,650 euro, me kosto të mbjelljes së pishës 20 euro, dhe të ‘Catalpas’ 35 euro. Deri më sot ata kanë mbjellë 450 pemë, në tetë shkolla.

Për mirëmbajtjen e këtyre pemëve nga organizata kanë bërë të ditur se kanë marrëveshje gojore me Komunën, Drejtorinë e Arsimit dhe drejtorët e shkollave që shkollat ta kenë përsipër mirëmbajtjen e tyre.

Ata kanë thënë se zakonisht pas dy apo tre muajsh bëhet evaluimi i projektit prej EULEX-it dhe anës së tyre, dhe me këtë rast mund të vëzhgojnë situatën se sa po përkujdesen shkollat për këto pemë. Pasi që t’i mirëmbajë organizata thonë se kërkon kosto shtesë.

Vitin e kaluar, ‘Keep it Green’ kishte mbjellë pemë edhe në oborrin e TC “Kosova A”, disa pisha, mirëpo për shkak të bagëtisë që kishte frekuentuar këtë hapësirë, ato ishin dëmtuar.

‘Keep it Green’ është OJQ që funksionon në komunën e Obiliqit që nga viti 2016, dhe deri më sot ka realizuar dhjetëra aktivitete me të rinj për ambientin.