Ilustrim: Porti i Durrësit

Dyshohen se ndotën me vaj akuariumin në Portin e Durrësit, nis hetim ndaj stafit të anijes

Një sasi vajrash industrialë kanë ndotur ujërat e akuariumit në Portin e Durrësit, ndërsa policia vendore tha se shkak është bërë çarja e tubave të presionit në një anije tregtare, stafi drejtues i së cilës është vënën nën hetim.

Specialistët e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit kanë qenë të parët që u alarmuan nga shkalla e lartë e ndotjes në ujërat brenda territorit të akuariumit.

“Nga kalata zero, në kalatën 10 të lindores, territor që shërben për shkarkimin e mallrave dhe që përbën pjesën e akuariumit, pikërisht në kalatën me numër 7, u vu re mbi sipërfaqen e ujit ndotje me ngjyrë”, thuhet në njoftimi e policisë.

Në kalatën me numër 7, kanë kryer hetimet specialistët e Kapitenerisë së Portit, ata të mjedisit dhe mbrojtjes së territorit.  “Nga verifikimet rezultoi se ndotja e ujërave ishte shkaktuar nga çarja e tubit të presionit të vajit, në një anije tregtare”, thuhet në njoftim.

Policia vendore e Durrësit  tha se u kryen verifikimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit përgjegjës.

“Për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, për shtetasit P. L., 48 vjeç, banues në Rusi, A. S., 35 vjeç, banues në Rumani dhe V. F., 63 vjeç, banues në Rusi”, tha Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, në një njoftim të shpërndarë për mediat mesditën e së premtes.

Procedimi penal  nisi për shtetasi P. L. që është kapiten, shtetasin A. S.  që është kryemekanik dhe shtetasin  V. F. është mekanik i dytë, të cilët akuzohen se nuk morën masa për shmangien në kohë të avarisë, që shkaktoi ndotjen.