Ndotja e Lumit Sitnica në Lipjan

Komuna e Lipjanit: Lumi Sitnica do të pastrohet javën e ardhshme - VIDEO

Ndotja në lumin Sitnica, te shtigjet e ecjes në Lipjan, e ka preokupuar të riun nga Lipjani, i cili ka vendosur që të ndërmarrë një iniciativë.

Ai ka hapur një peticion në formë online që të nënshkruhet nga qytetarët dhe të pastrohet lumi nga institucionet. Sipas tij, që nga viti 2009 është e njëjta gjendje e lumit, me mbeturina.

“(Peticionin) e kam formu para dy jave, çka më ka shty (me formu) është se, kur isha duke ecë buzë lumit, i kam parë plotë grupime të shisheve të plastikës, në të njëjtën kohë e kam parë që ngjyra e lumit është një ngjyrë e mbylltë, edhe e ndjeva një shqetësim që paspastërtia e lumit është duke vazhdu akoma, prej vitit kur kam ardh, pa asnjë ndryshim edhe aty e mora iniciativën që me fillu një ndryshim” – ka thënë Herolind Zotaj, për KALLXO.com.

Diamant Bytyqi, nënkryetar në Lipjan, ka thënë se janë në dijeni për gjendjen e lumit, e cila sipas tij, është krijuar për shkak të grumbullimit të mbeturinave gjatë rrjedhës së lumit, pas reshjeve të shiut.

Ai thotë se, kanë intervenuar disa herë aty, pasi që komuna e ka të kontraktuar kompaninë, e cila merret me mirëmbajtjen e lumenjëve, por ata i kanë thënë komunës se nuk munden menjëherë të intervenojnë për shkak të kushteve atmosferike.

“Besoj brenda javës së ardhshme do të intervenojmë aty, po kjo varet prej kushteve atmosferike për shkak se makineria e rëndë duhet të ofrohen deri te lumi dhe mos me pas ngecje të makinerisë në baltë” – ka deklaruar Bytyqi.

Ndërsa, në lidhje me peticionin e krijuar për këtë çështje, ai e vlerëson atë dhe mendon se është e drejt e të riut, pasi që edhe ata si komunë janë të interesuar ta mirëmbajnë këtë pjesë të lumit, dhe lumenjët tjerë në Lipjan.

Qytetari, i ka listuar tri kërkesa në përshkrimin e këtij peticioni, dhe shpreson se do të realizohen nga ana e institucioneve.

“E para është zhvendosja e kanalizimit, e di që kërkon kohë, kërkon resurse, po duhet të bëhet, tjetra është me e pastru lumin nga mbeturinat që janë mbi të, edhe e treta është me u implementu ligjet edhe me u zbatu gjobitja për personat që e ndotin lumin” – ka përmendur Zotaj.

Nënkryetari Bytyqi, i ka cilësuar si të realizueshme dhe reale këto kërkesa, mirëpo për zhvendosjen e kanalizimit, thotë se, nuk mund të bëhet për shkak se kanalizimi është i qytetit dhe duhet të krijohen impiante që e pastrojnë dhe filtrojnë kanalizimin.

“Nëse është ndonjë pjesë që është e vendosur direkt në lum, atëherë ne do ta shohim se cila është ajo pjesë, edhe ta shqyrtojmë mundësinë me Drejtorinë e Infrastrukturës se si është e mundur që të bashkohet me impiantin kryesor, edhe që të mos hudhet kanalizimi në Sitnicë pa u pastru në impiantet qysh janë me rregullat e pastrimit të ujit” – ka thënë Bytyqi.

Edhe nga opozita janë në dijeni për këtë gjendje të lumit dhe thonë se kanë pranuar ankesa nga qytetarët, duke bërë që ta ngrisin si çështje në Kuvend Komunal.

Asamblisti nga LVV – Alban Salihu, ka ironizuar, duke thënë se, nëse nisemi për te këto shtigje të ecjes, do të shihni këtë pamje dhe në përfundim të shtigjeve të ecjes është një deponi e madhe e bërllogut.

“Ne e kemi ngritur në Kuvend, përgjigjet e kryetarit zakonisht janë arrogante duke thënë që po bëjmë politikë, por e vërteta  është kjo që ju po e shihni” – tha Salihu.

Kurse, asamblisti nga PDK – Arsim Jashari, mendon se lidhur me këtë rast dhe të tjera të ngjashme, duhet të kemi një qytetari aktive, për të mos hedhur mbeturina vend e pa vend.

“Me të thënë të drejtën unë tash jam në opozitë, po në këtë rast nuk është faji edhe i komunës domethënë komuna i ka dërguar shportat e mbeturinave, e dërgon edhe kompaninë e pastrimit, por megjithatë trendi po vazhdon i njëjtë, nuk ka ndryshime” – është shprehur, Jashari.

Ndërkaq, Zotaj do të pres një numër të konsiderueshëm të nënshkrimeve, për ta dërguar peticionin në komunë dhe institucionet tjera, si në Ministri të Mbrojtjes, Mjedisit, dhe Planifikimit Hapësinor.

KALLXO.com më parë e kishte raportuar këtë rast, ku ka bashkangjitur pamje dhe formën online të peticionit, së bashku me kërkesat e tij.