Gomat që nxirren nga përdorimi – Pse shteti po dështon t’i trajtojë ato? - VIDEO

Emrullah Spahiu nga Rahoveci është inxhinier i mjedisit. Ai është pjesë e kompanisë ‘D-Eco Trans’ që gjendet në fshatin Bllacë të Suharekës.

Kompania merret me riciklim të gomave të përdorura dhe produktin që e nxjerrë nga ricikilimi, kjo kompani e eksporton kryesisht në Turqi.

‘D-Eco Trans’ aktualisht ka kapacitet që të riciklojë 1 mijë ton goma në muaj, por ka pasur raste që kanë arritur deri në 2 mijë ton për muaj.

“Më shumë kryesisht është Turqia, biznes më së shumti bëjmë me Turqi. Edhe kërkesat për ekonominë e Turqisë janë të mëdha për këtë produkt” – thotë Spahiu, teksa tregon se 100% të produktit që prodhohet nga riciklimi i gomave, kompania e eksporton jashtë Kosovës.

Institucionet shtetërore në Kosovë nuk kanë të dhëna të sakta se sa është numri i gomave që nxjerrën nga përdorimi dhe mbeturinave që krijohen nga to.

‘D-Eco Trans është themeluar në vitin 2019, por deri më tash nuk ka pasur asnjë përkrahje nga shteti, që të zgjerojë kapacitetet e veta, për të trajtuar gomat dhe mbeturinat e saj.

Spahiu thotë se të vetmet vizita që i bëjnë nga shteti, janë ato të inspektimit.

“Nga ana e shtetit nuk kemi pasë asnjë donacion, asnjë investim apo asnjë përkrahje deri më tani. Mirëpo ata që vijnë me na vizitu janë inspektorat ku diskutojmë ata, inspektorët mjedisorë kryesisht, ku ne diskutojmë rreth asaj se ku janë shkuar gomat, i bëjmë raporte ministrisë, edhe për obligimet që i ka kompania ndaj ministrisë. Mirëpo ndonjë donacion, nga ndonjë organizatë apo institucion shtetëror, nuk kemi pasur deri më sot”.

Emrullah Spahiu, inxhinier i mjedisit, pjesë e kompanisë ‘D-Eco Trans’. Foto: KALLXO.com.

Përmirësimi i sistemit të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë është paraparë në programin kryesor të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), që ka hyrë në fuqi më 1 prill 2016.

Kjo marrëveshje e obligon Kosovën që të hartojë politikat për menaxhimin e mbeturinave të përafërta me ato të BE-së, duke synuar kështu përshpejtimin në procesin e integrimit evropian.

Për këtë qëllim është miratuar edhe Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave 2021 – 2030, si dhe Plani i Veprimit për këtë strategji.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), automjete të regjistruara në Kosovë aktive për 2023-2024 janë 454 mijë e 114 të tilla. Duke pasur parasysh që një gomë e një automjeti e ka jetëgjatësinë nga 3 deri në 5 vite, potencialisht brenda kësaj periudhe, 1 milionë e 816 mijë e 456 goma mund të përfundojnë si mbeturinë në ambient të hapur.

Kjo është e shifër jo e saktë, por e përafërt duke llogaritur vetëm numrin e automjeteve. Shifër të saktë nuk e ka as shteti.

Në strategjinë në fjalë thuhet se janë tre kompani në Kosovë të licencuara për trajtimin e gomave.

“Kosova aktualisht i ka tri kompani të licencuara për mbledhjen, rinovimin/trajtimin/riciklimin e gomave. Megjithatë, nuk ka të dhëna për sasinë e gomave që ende janë duke u administruar nga industria. Metodat aktuale për vlerësimin e vëllimit të gomave janë vetëm rudimentare – me shifra të pasakta që nuk mund të merren si bazë e duhur” – thuhet në Strategjinë për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave, por që Ministria e Mjedisit nuk ka ofruar informatë se cilat janë ato.

Për çka mund të shërbejë goma e ricikluar?

Për shembull në Nigeri një kompani private ka arritur nga gomat e ricikluara që të krijojë kubëza për rrugë, apo shtresa për parqe të lojërave.

Të tjerë nëpër vende të ndryshme të botës nga gomat e makinave kanë krijuar vazo të luleve apo edhe ulëse si karrige.

Në Kosovë, thotë Emrullah Spahiu, goma e ricikluar do të mund të përdorej për fusha artificiale të futbollit, apo edhe për kënde të lojërave.

Ai ka thënë se ‘D-Eco Trans’ është duke menduar që t’i zgjerojë kapacitetet për trajtimin e gomave, por që një gjë e tillë duket e pamundur, pa përkrahjen e shtetit.

“Ne kemi interes me vazhdu, mirëpo jemi duke mendu për zgjerimin e produkteve nga trajtimi fizik i gomës. Domethënë jemi tash duke mendu me e zgjeru biznesin, mirëpo në qoftëse vazhdojmë me këtë ritëm, pa ndonjë përkrahje shumë të vështirë” – thotë ai.

“Sepse kjo punë apo veprimtari kërkon maqina shumë të sofistikuara të cilat e mbrojnë njeriun, e mbrojnë natyrën edhe duhet një investim, me pasë bashkinvestim me dikë, pa marrë parasysh me shtetin, me donatorët, ne jemi të hapur për me e zgjeru gamën e produktit. Mund të iu sigurojë se të gjitha gomat e përdorura që janë në Kosovë ne do të jemi në gjendje që t’i trajtojmë edhe t’i hekim nga deponitë që janë”.

‘Solid Shoes’ është një fabrikë për prodhimin e këpucëve në Suharekë. Fabrika numëron mbi 250 punëtorë dhe eksporton produktet e saja në 15 shtete të ndryshme të botës. Në këtë industri ata janë që 35 vite.

Shpejtim Kuqi, drejtor ekzekutiv i fabrikës, thotë se gomën që përdoret si lëndë e parë për prodhimin e këpucëve, e importojnë nga Italia. Ai shprehet skeptik në këto rrethana, që dikush në Kosovë do të mund t’i ofronte fabrikës së tij gomë si lëndë e parë.

Për më tepër thotë ai, edhe vetë goma si produkt ka filluar të reduktohet në përdorimin e saj për prodhimin e këpucëve.

“Ne e importojmë gomën prej jashtë Kosovës si lëndë e parë. Tash ka ndryshuar teknologjia, ka filluar që të hiqet goma nga përdorimi. Nuk është duke u përdorur shumë. Në bazë të praktikës, duhet me pasë një kapacitet tepër të madh, për me pasë një industri të tillë në Kosovë” – thotë ai.

Një tjetër veprimtari që do të mund të reduktonte mbeturinat e gomave në ambient të hapur, është edhe riveshja e gomave të përdorura.

Demir Demiri me prejardhje është nga Komanova e Maqedonisë së Veriut. Ai ka një biznes në Fushë Kosovë të quajtur ‘Dimi’, që merret me riveshjen e gomave të përdorura.

Biznesi i tij merr gomat e përdorura të kamionëve, përmes fabrikës që e ka në Fushë Kosovë bën riveshjen e tyre, e më pas i eksporton jashtë Kosovës.

Ai thotë se ka investuar goxha shumë në makineritë për riveshjen e gomave, ndërsa thekson se përkrahja nga shteti ka munguar.

“Nuk është që kemi pas ndonjë përkrahje nga shteti. Bile më shumë kemi pasur pengesa se sa ndihmë. Unë deri në gjykatë e kam çu një gjobë që ma kanë shqiptu pa të drejtë. E kam fitu në fund rastin” – thotë Demiri, teksa tregon për cilësinë e gomave që fabrika e tij prodhon.

“Ne e marrim gomën e kamionëve, e riveshim dhe e eksportojmë jashtë Kosovës. Garantojmë cilësinë e gomave, sepse ne kemi investu shumë në makineri. Cilësia e gomave që i prodhojmë nga riveshja e tyre, është e garantuar. Ajo mund të përdoret edhe deri në 3 vite të tjera. Lirisht mundet me u krahasu me prodhuesit më të mëdhenjë në botë të gomave të kamionëve”.

Biznesi i Demirit punëson rreth 12 persona, përfshirë edhe nga familja e tij, ndërsa gomat që pas riveshjes duken si të reja, i eksporton në disa shtete jashtë Kosovës.

Por si plotë biznese të tjera në Kosovë, edhe Demiri shprehet i shqetësuar për mungesën e punëtorëve.

“Jemi deri në 12 punëtorë, por punojmë edhe vet, unë, fëmijët e mi, vëllau e fëmijët e vëllaut. Kemi nevojë edhe për më shumë punëtorë, por po kemi problem me gjetë. Shpresojmë se ka me u zgjidh kjo, por problem qysh po shihet, sidomos tash pas janarit” – thotë ai.

“Ne përveç shteteve të rajonit si Shqipëria, Maqedonia V., Bosnja apo Mali i Zi, eksportojmë produktin tonë edhe në Zvicër apo Rusi. Në Rusi kohëve të fundit jo, për shkak të luftës”.

Newko Balkan është fabrikë me bazë në Suharekë. Ata prodhojnë shirita transportues nga goma. Këta shirita kryesisht përdoren për transportin e mineraleve në destinacionin përkatës.

Por nga kjo fabrikë nuk kanë qenë në gjendje të deklarohen rreth veprimtarisë së tyre, për shkak se siç është thënë, gjenden në pushim vjetor dhe udhëheqësit e fabrikës janë jashtë shtetit.

Kosova vazhdon ta ketë sfidë menaxhimin e mbeturinave

Kosova vlerësohet se vazhdon të ketë ngecje në menaxhimin e mbeturinave, në raport me shtetet tjera që kanë përfituar grante nga Bashkimi Evorpian, për këtë sektor.

Problem i theksuar është përzierja e llojeve të ndryshme të mbeturinave siç janë mbeturinat e ngurta, mbeturinat e kafshëve, apo mbeturinat shëndetësore. Të gjitha, në masë të madhe përfundojnë të deponuara në deponi ilegale.

Egzona Shala, drejtoreshë e organizatës ‘EcoZ’, thotë se politikat e shtetit që janë hartuar deri më tani në një masë të konsiderueshme janë të dizajnuara mirë.

Por çalimi kryesor, thekson Shala, është tek implementimi i tyre kur niveli qendror ngarkon me kompetenca dhe përgjegjësi nivelin komunal.

“Nga një hulumtim i joni i realizuar në kuadër të projektit Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë, nga 26 komuna të intervistauara 86% kanë deklaruar se nuk përfshihen në proceset e vendimmarrjes nga Qeveria” – thotë Shala, duke bërë të ditur se edhe shoqëria civile është lënë anash në hartimin e politikave për mjedisin.

“Kosova ende nuk ka të dhëna mbi riciklimin dhe potencialin e riciklimit, por nuk ka ende as edhe ndonjë mekanizëm të përkrahjes së bizneseve ricikluese të cilat do të mund të reduktonin mbeturinat dhe të krijonin hapësira të reja të vendeve të punës në vend”.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë përgjatë vitit 2022 janë krijuar gjithsej 521 mijë e 172 ton mbeturina, ku 22 mijë e 882 prej tyre janë ricikluar, 1 mijë e 245 janë sterilizuar (mbeturina spitalore), ndërsa pjesa tjetër është deponuar.

Ndërsa sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK), në Kosovë janë më shumë se 700 deponi ilegale të egra të madhësive të ndryshme. Në krahasim me vitet paraprake, sipas AMMK-së, ka pasur ulje të numrit të këtyre deponive.

Por Egzona Shala nga ‘EcoZ’ një tjetër ngecje e sheh tek trajtimi i ndotjes së ambientit si vepër penale, nga institucionet përkatëse.

Ndonëse thotë se qytetarët janë të vetëdijësuar deri në një masë të konsiderueshme, por vetëdijësimi konkret, sipas saj, me gjoba mungon.

“Nga raporti i Policisë për vitin 2022 numri i rasteve penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’ është 79 të tilla, që nënkupton që numri i rasteve është shumë i ulët karshi gjendjes faktike” – thotë ajo.

“Po ashtu në gjykatat e vendit lëndët mjedisore nuk janë prioritet dhe parimisht vjetërsohen deri të mirren vendimet”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nuk ka ofruar të dhëna se sa është numri i vendimeve të plotëfuqishme dënuese të gjykatave në Kosovë, që kanë të bëjnë me veprën penale “Ndotja, degradimi apo shkatërrimi i mjedisit”, përgjatë viteve 2022 dhe 2023.

Goma zakonisht në rajonin e Prizrenit apo të Gjakovës në masë të madhe është përdorur për të përfituar gëlqeren.

“Furrat e gëlqeres” siç njihen ndryshe, djegin gomat në ambient të hapur dhe përmes djegies përfitojnë gëlqeren.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka thënë se ka pasur takime gjatë këtij viti me Komunat e Gjakovës, Malishevës, Shtimes dhe Suharekës, në të cilat komuna ka pasur furra të gëlqeres, për të diskutuar për këtë problematikë.

Sipas ministrisë, Komuna e Malishevës më nuk ka furra të gëlqeres aktive, ajo e Suharekës furrat e gëlqeres i ka me lëndë drusore, ndërsa Komuna e Shtimes këtë vit ka bërë rrënimin e tyre.

Kurse Komuna e Gjakovës, sipas ministrisë, ka kryer inspektim nëpër këto furra.

“Takimi është mbajtur edhe me Policinë e Kosovës për komunat në fjalë, me ç’rast nga komunat është kërkuar që të inspektojnë të gjitha furrat e gëlqeres në territorin e tyre” – kanë thënë nga MMPHI.

Ndërsa Komuna e Gjakovës ka thënë se pas luftës, numri i personave që janë marrë me pjekjen ilegale të gurëve gëlqerorë ka qenë me dhjetëra, kryesisht në fshatin Lipovec dhe Molliq të kësaj komune.

Kurse aktualisht, sipas Afrim Ademit, inspektor i Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Gjakovës, numri i personave që vazhdojnë të përdorin gomat e vjetra si lëndë për pjekjen e gëlqeres është rreth 5-6 të tillë.

“Gjatë vitit 2022 kemi shqiptuar tre gjoba, në lidhje me këtë veprimtari. Ndërsa përgjatë vitit 2023 nuk kemi shqiptuar asnjë gjobë, sepse nuk kemi hasur në veprimtari të tilla gjatë inspektimit” – ka thënë Ademi.

“Ushtrimi i një veprimtarie të tillë është mjaftë i rëndë dhe i rrezikshëm, sepse përdorimi i gomave për pjekjen e këtyre gurëve, në radhë të parë është i dëmshëm për vetë familjaret, që shpesh herë kemi takuar edhe gra dhe fëmijë duke ushtruar këtë veprimtari”.

Shteti vazhdon të mos ketë të dhëna të sakta se sa është numri i mbeturinave të gomës që krijohen çdo vit në Kosovë.

Një numër i përafërt është cekur në Strategjinë paraprake për menaxhimin e mbeturinave, atë të viteve 2013 – 2022. Aty thuhet se afërsisht në Kosovë gjenerohen çdo vit 4280 ton goma që përfundojnë si mbeturinë.

Shumë pak prej tyre arrijnë të riciklohen apo përpunohen. Ndotja e ambientit nga ky material vazhdon.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe me bashkëfinancim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e People in Need dhe Let’s Do It Peja dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Çeke.