Këshilli i Europës në Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com
Çfarë përmbajtje kishin amendamentet e Serbisë për Kosovën që nuk u miratuan në KiE
Amendamentet e Serbisë për raportin e raportueses për Kosovë, Dora Bakoyannis, nuk janë miratuar në Komitetin për Politikë në Këshillin e Europës, sikundër që nuk është miratuar edhe një amendament i propozuar nga Italia.
Nga analiza e këtyre amendamenteve shihet që në disa prej tyre është kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të jetë parakusht që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës.
Në njërin prej amendamenteve të Serbisë ka shkruar që “anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshill të Europës do të ishte kulmi i shkeljeve, rregullave dhe parimeve thelbësore të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë por pa u kufizuar në shkelje e Kartës së Kombeve të Bashkuara” -duke shtuar që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të kuptohej si një mohim i të gjitha atyre parimeve.
Në amendamentin tjetër shkruan që Asambleja Parlamentare të shqyrtojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që të jetë parakusht për vazhdimin e procesi i shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Edhe në një amendament të propozuar nga grupi i deputetëve të Italisë shkruan që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të shfaqet dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm në Komitetin e Ministrave.
Amendamenti tjetër nga Serbia ishte formular në këtë mënyrë: “Ratifikimi ose zbatimi i mundshëm i dispozitave dhe disa prej traktateve nuk paragjykon statusin juridik ndërkombëtar të Kosovës dhe Metohisë, si territor nën administratën ndërkombëtare dhe si pjesë e Republikës së Serbisë”.
Ndërkaq përmes tjetrit amendament Serbia kishte propozuar që Komiteti i Ministrave të shtynte vendimin e për aplikimin për anëtarësim “deri sa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të vendos përfundimisht për statusin e Kosovës dhe Metohisë”.
Sidoqoftë, deputeti Besnik Tahiri i cili është pjesë e delegacionit të Kuvendit të Kosovës tha për KALLXO.com që amendamentet e Serbisë dhe një i Italisë nuk u miratuan.
Opinioni i Bakoyannis që pritet të votohet sot nga ora 17:00 nga delegatët e shteteve anëtare të KiE, rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.
Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27 mars, kjo do i hapë rru votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.
Në hapin e parë, raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.
Kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.
Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe rreth Kosovës. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.
Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.
Ndërsa si shtet, Kosova do të bëhet e barabartë me 46 vendet e tjera anëtare.