Foto-ilustrim: Policia e Kosovës

Brenda një viti Policia realizoi më shumë se 100 operacione në kufijtë e vendit

Janë gjithsej 108 operacione të kryera nga Policia e Kosovës gjatë vitit 2021 në kufijtë e Kosovës.

Këto operacione, sipas raportit vjetor të Policisë, janë realizuar me qëllim të sigurisë së kufijve.

Raste të tilla janë raportuar vazhdimisht në KALLXO.com.

Një rast i tillë ku policia ka kryer aksione në kufi është ai i 24 korrikut të 2021-ës, kur Policia e Kosovës në pikën kufitare mes Kosovës e Shqipërisë në Vërmicë, kishin arrestuar shtatë persona nën dyshimin për kontrabandimin me 15 emigrantë.

Krahasuar më 2020-ën, Policia vitin e kaluar ka pasur patrullime më të shpeshta në zonat kufitare.

Sipas raporteve vjetore të punës policore, në 2021 thuhet se janë kryer 269 patrullime, krahasim me 2020-tën kur janë kryer 108 më pak.

Në bashkëpunim ndërkombëtar, Policia ka pasur 55 raste.

Një rast i tillë është bashkëpunimi me Policinë e Shqipërisë dhe ata të Italisë ku në janë kapur rreth 400 kg kokainë më 17 prill të 2021-ës.

Disa prej 8 mijë e 113 zyrtarëve policor që kanë qenë të punësuar gjatë vitit 2021 kanë punuar edhe në shqiptimin e gjobave në fushën e qëndrimit ilegal dhe mos vazhdimin e lejes së qëndrimit.

Në raportin vjetor të punës së Policisë së Kosovës, në periudhat Janar-Dhjetor 2021, kjo organizatë ka shqiptuar 1 mijë e 213 gjoba të tilla.

Në anën tjetër, janë 7 mijë e 436 raste kur Policia ka refuzuar hyrjen e personave në territorin e Republikës së Kosovës dhe 635 raste kur personave të caktuar nuk iu është lejuar që të hynë brenda territorit të vendit.

Policia e Kosovës rrugëtimin e saj e kishte filluar më 6 shtator të vitit 1999, kur Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, kishte hapur Shkollën e policisë dhe kishte filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 Shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtar të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij Shërbimi.

Në 2021-ën Policia e Kosovës ka numëruar gjithsej 9 mijë e 79 punonjës, prej të cilëve 8 mijë e 113 janë zyrtarë policorë, ndërsa 966 staf civil.

Këta Policë, që nga 13 janar i 2021-ës janë udhëhequr nga Samedin Mehmeti i cili mbanë pozitën e Drejtorit të përgjithshëm.