Aksion i Policisë në Vërmicë, kapen në flagrancë shtatë persona që kontrabandonin 15 emigrantë

Shtatë persona janë arrestuar mëngjesin e sotëm nga Policia e Kosovës në pikën kufitare mes Kosovës e Shqipërisë në Vërmicë, nën dyshimin për kontrabandim me 15 emigrantë.

Policia ka njoftuar se sot rreth orës 06:30 Njësitet Policore kufitare gjatë vëzhgimit të terrenit në Vërmicë, konkretisht nën urën e parë të autostradës, pikërisht tek shkyçja e parë e autostradës, kanë vërejtur lëvizje të dyshimta.

PK-ja bën të ditur se aty kanë ardhur gjashtë vetura taksi, kurse nga shkurret dhe mali kanë dalë dhe kanë hy në automjete disa emigrantë.

“Patrullat policore që ishin në vëzhgim menjëherë kanë intervenuar dhe gjashtë automjete janë shoqëruar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-Vërmicë. Për rastin janë njoftuar hetuesit policor të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Perëndimi Gjakovë, Drejtoria e Migrimit dhe prokurori i shtetit”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, zyrtarë policorë nga Drejtoria për Migrim, kanë filluar sipas procedurave të merren me 15 emigrantë të ndaluar në këtë rast.

“Kurse, pasi intervistimit, me aktvendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë për përfshirje në veprën penale ‘kontrabandë me emigrantë’, po ashtu janë sekuestruar edhe gjashtë vetura të përfshira në rast”, thuhet në komunikatë.