Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez - Foto: REL

Bosnjë e Hercegovina s’e lejon të aterrojë në Banjallukë aeroplanin ushtarak që po e transportonte ministrin e Jashtëm të Hungarisë

Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës nuk ka pranuar ta lejojë një aeroplan ushtarak – i cili po e barte ministrin e Jashtëm të Hungarisë – të ulej në Republikën Sërpska të Bosnjës të mërkurën, duke thënë se Budapesti e kishte mbështetur liderin serb të Bosnjë-Hercegovinës në veprime që minonin sovranitetin e vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez, tha se Hungaria nuk ka dhënë ndonjë shpjegim pse ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto, ndodhej në avionin që kërkonte të ulej në Banjallukë, qytetin kryesor të entitetit serb në Bosnjë e Hercegovinë.

Szijjarto e vizitoi Serbinë fqinje të mërkurën për të biseduar për hollësitë se si Hungaria mund ta ndihmojë Beogradin pas ndalimit të furnizimeve me naftë të papërpunuar nga Kroacia.

Helez tha se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe Szijjarto kishin mbështetur hapur liderin separatist serb të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, në veprime që “minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Bosnjë e Hercegovinës”.

“Si ministër i Mbrojtjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, detyra ime është t’i mbroj rendin kushtetues, ligjet dhe interesin e Bosnjës dhe Hercegovinës”, shkroi Helez në një postim në Facebook.

“Prandaj, kam vendosur të mos e miratoj këtë fluturim derisa të sigurohet transparencë e plotë dhe respekt ndaj shtetit tonë”, tha ai.

Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, që e mbikëqyr marrëveshjen e paqes, e cila e ka mbajtur Bosnjë e Hercegovinën të bashkuar që nga përfundimi i luftës ndëretnike të viteve ‘90.

Dodik është mburrur me mbështetjen që Orbani ia ofronte politikave të tij.

Ai dhe aleati i tij, Sinisha Karan, i cili i fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Sërpska gjatë fundjavës, u takuan me Orbanin në Budapest të mërkurën./REL