Borrell: Këndvështrimet e Kurtit dhe Vuçiq janë shumë të largëta sa i përket Asociacionit

Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se sot është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit.

Borrell ka thënë se fillimi i këtij drafti përbën një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes.

“Palët morën një hap të rëndësishëm e simbolik drejt themelimit të Asociacionit të dakorduar 10 vjet më parë. Sot grupi menaxhues i përbërë nga serbë të Kosovës, u ka prezantuar palëve draftin e parë që nuk është përfundimtari, një pikë startuese. Fillimi i këtij drafti përbën një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes dhe dua të përshëndes faktin se ky draft tashmë është vënë në tryezë”- ka deklaruar ai.

Borrell tha se Kurti ka ndarë mendimet e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, teksa shtoi se këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta sa i përket Asociacionit.

“Kryeminsitri Kurti ndau me ne këndvështrimemt e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë dhe sic pritjes këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket natyrës së këtij asociacioni, nuk është se kam pritur diçka tjetër isha i bindur që palët do të kenë këndvështrime të ndryshme sa i përket asociacionit”- u shpreh Borrell

Shefi i diplomacisë së BE-së, tha se palët janë pajtuar të fillojnë negociatat për Asociacionin në të ardhmen e afërt.

“Por, edhe nëse nuk janë pajtuar, janë pajtuar të fillojnë negociatat për Asociacionin në të ardhmen e afërt. Duke pasur këtë draft të parë si pikë fillestare për diskutim dhe dua të inkurajoj palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim në këto negociata dhe të jenë të gatshëm të bëjnë kompromise dhe në përputhje me modelet evropiane dhe kemi shumë raste të asociacioneve”- theksoi Borrell.

Në pjesën e parë të takimit palët  kanë miratuar Deklaratën për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit, teksti i të cilit ishte dakorduar në prill të këtij viti pas takimit trepalësh në Bruksel mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq.

Sipas kësaj Deklarate të publikuar nga Bashkimi Evropian thuhet se të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Ohër, më 18 mars, kur edhe u dakorduar për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.