Hazir Borovci dëshmon në Gjykatën Speciale

Borovci-Gjykatës Speciale: Mos bini pre e dëshmitarëve të manipuluar dhe të shantazhuar

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇk) dhe veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hazir Borovci, SI dëshmitar i mbrojtjes, në ditën e dytë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specilizuara të Hagës ka bërë thirrje që kjo gjykatë të mos i besojë dëshmitarëve të siç i ka quajtur ai “të shantazhuar” dhe “të manipuluar”.

Sali Mustafa i njohur me nofkën ‘Komandat Cali’, po akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte.

Dëshmitari Borovci në deklaratën e sotme ka përsëritur qëndrimet e tij se Salih Mustafa është i pafajshëm.

“Kryetare e trupit gjykues, kërkoj nga ju jo mëshirë, por kërkoj drejtësi! Jam i bindur se do të vendosni drejtë, se do ti analizoni mirë dëshmitarët. Mos bini pre e dëshmitarëve të manipuluar të shantazhuar por t’i analizoni mirë rrethanat në të cilat kemi vepruar. Uroj të mos i ndodhë asnjë populli apo asnjë kombi ajo që na ka ndodhë neve”, ka deklaruar Borovci.

Gjatë rimarrjes në pyetje nga avokati Julius Von Bone, ai ka mohuar se ka pasur ndikime në dhënien e dëshmisë në dobi të Mustafës.

“Të vërtetën e kam thënë para jush, edhe dje dhe sot. Si atëherë, sikur sot”, ka thënë Borovci.

Tutje ai ka mohuar të ketë ndonjë dijeni për deklarimet e Mustafës në Zyrën e Prokurorit të Specilizuar.

“Nuk jam marrë shumë me deklarata. Ajo ishte risi që e pash këtu dhe e lexova, me përjashtim të mediave që jemi informuar. Ndoshta duke qenë i bindur në pafajësinë dhe pastërtinë e Salih Mustafës duke menduar që aktakuza është ngre mbi të …”, ka shtuar Borovci.

Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Borovci  edhe një herë ka sqaruar se nga Prishtina ishte shpërngulur me datë 31 mars 1999 për në fshatin Butovc ku aty ishte takuar me Salih Mustafën.

Hazir Borovci, dëshmitari i katërt sot ka përfunduar dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës .

Gjatë ditës së djeshme (e mërkurë) ai ka treguar për veprimtarinë e tij politike dhe humane gjatë viteve të ’80 dhe ’90 ku ishte kyçur në LDK dhe në Këshillin Komunal të Emergjencave.

Ai tutje ka rrëfyer se ishte pjesë edhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën ka thënë se nuk kanë ekzistuar dallime partiake apo fetare.

Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit të Speciales, Salih Mustafa pritet të vazhdojë me 4 prill me dëshmitarin e pestë të mbrojtjes.

Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit. Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet se për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij para gjykatës, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.