Bllokohet rruga në Junik pas daljes së lumenjve nga shtrati si pasojë e reshjeve (FOTO)

Lumenj e përrocka në Junik kanë dalë nga shtrati i tyre si pasojë e reshjeve në ditët e fundit.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Junik, Demokrat Ganijaj, ka bërë të ditur për KALLXO.com se si shkak i kësaj, ka pasur edhe shembje dheu e bllokim të rrugës.

“Si pasojë e reshjeve të shiut gjatë dy ditëve të fundit në disa zona ka pasur dalje të përrockave dhe lumenjeve nga shtrati, të cilat kanë shkaktuar shembje të dheut dhe bllokim të rrugës Junik, Jasiq, Gjocaj, Gjeravicë” – tha ai.

Ganijaj shtoi se ekipet emergjente janë në terren dhe situata është nën kontroll, derisa për momentin të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Ditë më parë Instituti Hidrometeorologjik njoftoi për reshjet në Kosovë dhe rajonet që pritet të jenë më të rrezikuara nga vërshimet.

“Gjatë ditës së martë dhe mërkurë, datë.17-18/01/2023), pritet të ketë reshje me intensitet mesatarë deri në të lartë, të cilat do të jenë më të përqendruara në pjesën perëndimore dhe veriore të vendit, por gjatë ditës së nesërme ato do të përfshinë tërë vendin” – njoftoi IHMK.

Tutje IHMK bën të ditur se në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Prizren, Klinë, Zubin Potok, etj.), mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve, fillimisht atyre të vegjël me karakter të rrëkeve të cilët zbresin prej viseve më të larta malore, duke pasur potencial për shembje apo rrëshqitje të dheut.

Derisa në zonat urbane, në këto komuna, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemeve drenuese, mirëmbajtjes dhe pastrimit të shtretërve të lumenjve dhe kanalizimeve.