Ilustrim

Policia jep detaje në lidhje me vdekjen e çiftit në Junik, dyshohet se shkaktare ishte energjia elektrike

Një burrë dhe një grua kanë vdekur në një shtëpi banimi në bjeshkët e Junikut.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se dyshohet se shkaktar i vdekjes së çiftit ka qenë energjia elektrike.

“Rreth orës 11:30 stacioni policor në Junik është njoftuar se në Bjeshkët e Junikut kanë vdekur burrë dhe grua. Në vend të ngjarjes kanë dal komandanti dhe policët e stacionit në Junik. Vdekjen e ka konstatuar mjeku i qendrës së mjekësisë familjare. Dyshohet se shkaktar ka qenë energjia elektrike”- ka deklaruar Gashi për KALLXO.com.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, në lidhje me këtë rast tha për KALLXO.com se prokurori i Krimeve të rënda është duke shkuar në vend të ngjarjes.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar Komuna e Junikut, të cilët kanë shprehur ngushëllime familjes.

“Me dhimbje të thellë e pranuam sot lajmin tragjik për humbjen e parakohshme të Mic Tofaj dhe bashkëshortes së tij Fatlinda Maloku Tofaj. Ngushëllime familjes Tofaj dhe familjes Maloku për humbjen e papritur të më të dashurve të tyre”- thuhet në reagim.