Vërshime në rrugën "Nazim Gafurri", Prishtinë, Foto: KALLXO.com

Paralajmërimi për vërshime të shpejta dhe erëra të forta në Prishtinë, detaje nga IHMK

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në Prishtinë ka probabilitet prej 35 për qind për përmbytje. Ndërkohë në rajonin e Prishtinës ka erëra të forta gjatë së dielës  (24.03.2024).

I pyetur nga KALLXO.com për më shumë detaje, Bashkim Kastrati nga ky Institut tha se nuk ka rrezik të përmbytjeve.

“Niveli i rrezikshmërisë është shumë i ulët. Nuk ka përmbytje lumore, lumenjt janë në gjendje stabile por disa pjesë, sidomos në regjion të Prishtinës mundet me pas reshje më intensive, munden me shkaktu pak vërshime të shpejta. Kjo nënkupton proçkat që vijnë prej zonave të larta malore, si pasojë mundet me pas edhe shembje të dheut por probabiliteti është i ulët”- deklaroi Kastrati.

Pas njoftimit të IHMK-së, Komuna e Prishtinës ka kërkuar kujdes nga qytetarët.

“Të nderuar qytetarë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se sonte do të kemi vërshime të shpejta dhe erëra të forta gjatë ditës. Andaj, ju lutemi të keni kujdes. Rrini larg pemëve dhe objekteve, shtyllave elektrike”- theksoi komuna në Facebook.

Ftesë qytetarëve u bëhet se në rast të paraqitjes së ndonjë rreziku të thërrasin në numrat e telefonit: 0800 112 33 ose 0800 112 44.

Njoftimi i plotë nga IHMK:

INFORMIM

Regjion(et) : Prishtinë

Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare: 35 %

Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 20-vjeçare: 15 %

INFORMACION SHTESE:

Zona e prekur e ndjeshme ndaj rrëshqitjeve: Shumë e lartë: 6 km², E lartë: 72 km², E moderuar: 31 km²

Vrejtje: Krijimi i këtij informacioni të jashtëzakonshëm meteorologjik/Hidrologjik, bazohet në produktet profesionale të çertifikuara prognostike të Qendrës Evropiane për Parashikimin e Motit ECMWF, ICON – Shërbimi kombëtar gjerman i motit DWD, Systemi Evropian i Parashikimit të motit.Copernicus EFAS.