KEDS reagon pasi Komuna e Junikut e fajësoi për ndërprerje të rrymës

Komuna e Junikut ka akuzuar Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) se e la këtë vend në terr që nga ora 1, pas mesnatës.

Kjo mungesë e energjisë, sipas Komunës vjen pas reshjeve të mbrëmshme të borës.

“Edhe pse komuna ka kërkuar veprime nga ana e KEDS, territori i komunës së Junikut është në terr nga ora 01:00 e natës e kësaj të shtune. Ne jemi dëshmitarë se në kohët e fundit, nëse fryn një erë e lehtë, furnizimi me energji ndalet, nëse bie shi furnizimi me energji ndalet, nëse bie borë furnizimi me energji ndalet. Përgjegjësi për këtë dështim është KEDS” – ka shkruar Komuna e Junikut në Facebook.

KEDS-i ka reaguar duke thënë se për shkak të borës së madhe dhe kushteve të paprërshtatshem në terren, ka qenë e pamundur që dëmet në rrjet të eliminohen përgjatë ditës.

“Duke pasur parasysh se për rregullimin e kësaj prishjeje nevojitet makineri speciale, kemi kërkuar bashkëpunimin e komunës, e cila nuk ka dalë në ndihmë. Megjithatë, KEDS e ka siguruar atë në një kompani private, për çka pritet intervenimi në mëngjes” – ka shkruar më tej KEDS-i.

Kjo komunë po ashtu ka apeluar KEDS-in që t’i furnizojë banorët e saj sa më parë, duke thënë se ata janë edhe paguesit më të rregullt të energjisë elektrike dhe nuk e meritojnë një trajtim të tillë.

Ndërkaq, KEDS-i thotë se ekipet e saj janë mobilizuar që në mëngjes herët për të rikthyer furnizimin me energji elektrike në rajonet e prekura nga bora dhe erërat dhe ka thënë se ka arritur ta bëjë këtë në pjesën më të madhe.