Antony Blinken - Foto: VOA/Reuters

Blinken vizition sërish Izraelin, pritet të bëjë thirrje për pauza në luftime për ta lejuar ndihmën në Gaza  

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken mbërrin sot në Tel Aviv dhe pritet t’i kërkojë qeverisë izraelite që të pajtohet me ndalimin e luftimeve në Gaza, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara nuk po mbrojnë një armëpushim të përgjithshëm, por një pauzë “të përkohshme, të lokalizuar”.

Duke u larguar nga Uashingtoni, Blinken ka thënë se do të diskutojë hapa konkretë për të minimizuar dëmtimin e civilëve në Gaza gjatë vizitës së tij në Izrael.

Që kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1,400 izraelitë, të paktën 9,061 palestinezë janë vrarë në luftë, kryesisht gra dhe të mitur, dhe më shumë se 32,000 njerëz janë plagosur, tha të enjten ministria e shëndetësisë në Gaza. Numri i të vdekurve është i paprecedentë në dekadat e dhunës izraelito-palestineze, raporton Associated Press.

Më shumë se 3,700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditë luftimesh – më shumë se gjashtëfishi i 560 fëmijëve që OKB-ja kishte raportuar të vrarë në 19 muajt e luftës në Ukrainë deri më 8 tetor.

Bombardimet kanë detyruar të largohen më shumë se gjysmën e 2.3 milionë banorëve të territorit nga shtëpitë e tyre. Ushqimi, uji dhe karburantet po mbarojnë nën rrethimin e Izraelit dhe spitalet e mbingarkuara paralajmërojnë se janë në prag të kolapsit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala