Bislimi: Qeveria e Kosovës dënon ashpër sulmin ndaj familjes Muharremi në Medvegjë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka dënuar sulmin ndaj familjes Muharremi në Medvegjë.
Përmes një postimi në platformën X, Bislimi ka thënë se një veprim i tillë është shqetësues dhe i papranueshëm.
“Qeveria e Kosovës dënon ashpër aktet e vandalizmit dhe frikësimit ndaj familjes Muharremi në Medvegjë. Është shqetësuese dhe e papranueshme. Me sa duket për Vuçiqin çdo ditë pa ndonjë incident është një ditë e humbur. Serbia duhet të përmbahet nga aktet e dhunës ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”-, ka shkruar Bislimi.
1/2 🇽🇰Govt strongly condemns acts of vandalism & intimidation against the Muharremi family in Medvegja. It is concerning & unacceptable. Apparently for Vucic any day w/o an incident is a wasted day. Serbia should refrain from acts of violence against Albanians in Presheva Valley.
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) October 2, 2023
Bislimi ka thënë se edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar që qytetarët e Luginës të mos ekspozohen ndaj akteve të tilla.
“Edhe deputeti i vetëm shqiptar në Serbi Shaip Kamberi kërkoi rend, paqe dhe që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos ekspozohen ndaj akteve të tilla dhe që komuniteti ndërkombëtar të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë me kujdes situatën e sigurisë, veçanërisht në Luginën e Preshevës”- ka shkruar Bislimi.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka njoftuar për sulmin ndaj familjes së Ruhan Muharremit.
“Një grup i panjohur ka kryer akte vandalizmi duke hedhur gurë dhe mjete të rënda në drejtim të shtëpisë së tyre.Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla”- ka shkruar ai.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes, sidomos në Luginën e Preshevës.