Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

BIRN ka filluar monitorimin e mbledhjeve të bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Mbledhja e tretë e bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore është mbajtur ketë të mërkurë. Në të u diskutua rreth sfidave që ka Fondi si dhe për udhëzimin e ri administrativ për trajtimin mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Këto mbledhje tash e tutje do të monitorohen edhe nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Kryesuesi i bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, njëherësh ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ndryshimi i këtij udhëzimi ka ardhur si rrjedhojë e shumë lëshimeve në udhëzimin administrativ paraprak.

“Këto ndryshime janë bërë në dy aspekte, e para në drejtimet që kanë qenë të domosdoshme dhe e dyta në raport me të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditorit të Përgjithshëm, të cilat shumica prej tyre janë adresuar në këtë udhëzim të ri administrativ” – tha Vitia.

Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, Izet Sadiku, ka pyetur kryesuesin nëse ky ndryshim është bërë vetëm për shkak të gjetjeve që i ka identifikuar ZKA-ja.

Ndërsa Vitia është përgjigjur se pos kësaj, këto ndryshme është dashur të bëhen me patjetër.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe rreth konkursit për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ky konkurs ishte anuluar dy herë për shkak se shoqëria civile si dhe Ambasada britanike kishin vlerësuar se kriteret e konkursit janë kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë, konkretisht me Rregulloren për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil.

https://kallxo.com/lajm/ministri-vitia-flet-per-ligjshmerine-e-konkursit-per-drejtor-te-fondit-te-sigurimeve-shendetesore/

Ndërsa për konkursin e radhës për drejtor të Fondit, Izet Sadiku nga AKK pyeti nëse do të ishte më mirë që propozimet të dërgohen fillimisht në Ambasadën britanike e më pas të kalojë në bord për shqyrtim.

Për këtë Hekuran Nikçi nga Ministria e Financave tha se sipas tij nuk është e nevojshme që ky proces të mbetet peng i Ambasadës britanike.

Në këtë mbledhje është marrë vendim që takimet të mbahen çdo javë, pra çdo të mërkurë, në ora 16:30.