Foto: KALLXO.com

Ministri Vitia flet për ligjshmërinë e konkursit për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur lidhur me ligjshmërinë e konkursit për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, për të cilin disa organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar që të anulohet.

Anulimi është kërkuar për shkak të kritereve të konkursit, të cilat sipas tyre janë kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publik, konkretisht me Rregulloren për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.

Vitia sot në një konferencë për media tha se pas këtij reagimi ka kërkuar nga bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore që ta adresojnë sa më shpejt këtë problematikë dhe t’i raportojnë.

“Nuk kisha thanë edhe nuk mundem njëherë me thanë nëse është e ligjshme ose e paligjshme, me ardhë në konstatime të tilla pasi që janë disa organe të tjera që duhet ta thonë këtë konstatim dhe pastaj të më raportojnë mua” – tha Ministri i Shëndetësisë.

Sapo ta pranojë konstatimin, Vitia tha se do të vendoset konform ligjit.

Afati për aplikim në këtë konkurs është i hapur nga 18 shkurt dhe do të mbyllet më 25 shkurt.

Aktualisht, ushtrues i detyrës së drejtorit të këtij institucioni është Bujar Kaçuri.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka borxh mbi 30 milionë euro që nga themelimi i tij në vitin 2014, ndërsa, buxheti për këtë vit është vetëm 8 milionë euro.

Bujar Kaçuri, u.d. drejtor i Fondit për Sigurimin Shëndetësor dhe ish-drejtori Fatmir Plakiqi më 14 shkurt, u përplasën në emisionin Kallxo Përnime lidhur me këtë borxh.

Kaçuri tha se arsyeja e shkarkimit të Plakiqit ka qenë mosraportimi i këtij borxhi në Ministrinë e Financave.

Drejtori i shkarkuar i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi në #KallxoPernime, ka thënë se gjithçka që është folur ndaj tij në media është e pavërtetë dhe për këtë ka përgatitur një dosje të cilën e ka dërguar në polici.

“Unë Bujarin e kuptoj pasi që është pjesë e Fondit ky flet me direktiva të bordit drejtues sepse me atë kusht edhe është caktu në këtë pozitë”, ka thënë Plakiqi.

Mandati për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore është 5 vjeçar.