
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Besnik Tahiri: Qeveria ra në kurthin e dialogut
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë Kurti se të gjitha vendimet i ka fokusuar në tema që lidhen me dialogun.
Ai ka thënë se pushteti e ka neglizhuar totalisht ekonominë dhe gjendjen sociale në Kosovë.
“Jam sot këtu të adresojë më shumë kurthin në të cilën ka ra qeveria, ë kurthin e dialogut dhe neglizhencën totale të gjendjes ekonomike dhe sociale. Është e papranueshme që të gjitha vendimet në qeveri të lidhen me temat e larta dhe asnjë vendim të mos jetë në dobi të qytetarëve” – tha Tahiri.
Ai shtoi se ekonomia dhe bizneset në Kosovë janë para kolapsit. Sipas tij, Qeveria nuk ka bërë asnjë hap që mundëson forcimin e ekonomisë së vendit.
“Tri lajmet e fundit janë dëshpëruese, e para ka të bëjë për paralajmërimin e rritjes së rrymës për 14%. E dyta me rritjen e tatimit në pronë dhe e treta me ligjin e pagave” – tha ai.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të ketë rritje të tarifave të rrymës për 13.4% për vitin 2023, pas kërkesës së bërë nga Furnizuesi Publik – KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.
Ky paralajmërim është shoqëruar me kritika nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës.