Besnik Tahiri: Ka rrezik që Serbia ta mbajë Kosovën në konflikt të ngrirë

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti nuk ka informacion për takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pritet ta zhvillojnë në Bruksel.

Ai deklaroi se ka rrezik që Serbia ta mbajë Kosovën të bllokuar.

“Rreziku potencial i Kosovës është që Serbia të vazhdojë të mbajë Kosovën në një konflikt të ngrirë duke e paraqitur si një palë jokonstruktive dhe që bënë telashe” – tha Tahiri.

Ai tutje tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet sa më shpejt, në mënyrë që procesi i dialogut të mbyllet.

“Ne mendojmë që koha kur takimet kanë ndodhë për një fotografi duhet të kalojë. Marrëveshja duhet të ndodhë sa më shpejt që është e mundshme. Njëherë e përgjithmonë me i dhanë fund kësaj. Marrëveshja është finale, është marrëveshje kontraktuale dhe është marrëveshje qe i hap rrugën Kosovës. Rreziku potencial i Kosovës është që Serbia të vazhdojë të mbajë Kosovën në një konflikt të ngrirë duke e paraqitur si një palë jokonstruktive dhe që bënë telashe”- tha Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit, të dy palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Kurti dhe Vuçiq takohen në Bruksel më 27 shkurt