Takimi i 04.05.2022 | Foto: Mirosllav Lajcak

Kurti dhe Vuçiq takohen në Bruksel më 27 shkurt

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit, të dy palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.