BE thotë se Ligji për zyrtarët publikë u miratua pa marrë parasysh komentet e ekspertëve

Bashkimi Evropian ka reaguar pas miratimit të Ligjit për zyrtarët publikë dhe Ligjit për paga të cilët morën shumicën e votave dje në Kuvendin e Kosovës.

Sipas BE-së, Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita.

“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit”- thuhet në ragimin e BE-së.

Tutje BE ka thënë se ky ligj u miratua pa marrë parasysh komentet e tyre.

“BE-ja shpreh keqardhjen që Kuvendi i Kosovës dje i ka miratuar këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë”- thuhet tutje.

Sipas njoftimit, komentet e BE-së kishin për qëllim të udhëzojnë dhe mbështesin më së miri qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Tutje Bashkimi Evropian ka thënë se është partneri kryesor i Kosovës për sa i përket mbështetjes financiare për këto reforma.

“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike në Kosovë, do të raportojë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën dhe mund të rivlerësojë ndihmën e saj në këtë fushë”- thuhet në reagim.

Ligji për zyrtarët publikë dhe Ligji për paga në sektorin publik u miratuan dje në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ligji për zyrtarët publikë mori 58 për dhe katër abstenime.

Vota kundër nuk ka pasur ndërsa tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.

Deputetët opozitarë janë deklaruar kundër disa neneve të këtij projektligji.

Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.