BE për vendimin e Qeverisë së Kosovës që shpalli terroriste dy organizata: Hap i njëanshëm që nuk kontribuon në shtendosje

Bashkimi Evropian ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës që të shpallë organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” është i njëanshëm dhe nuk kontribuon për shtensionim të situatës.

Në një përgjigje për KALLXO.com zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ky hap nuk kontribuon as për të gjetur një mënyrë për të adresuar problemet ekzistuese.

“Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së në Këshillin Evropian javën e kaluar bënë thirrje për shtendosje të menjëhershme të situatës në Kosovë. Këto emërtime janë një hap i njëanshëm që nuk kontribuon në shtendosjen e situatës dhe as për të gjetur një mënyrë për të adresuar problemet ekzistuese në mënyrë të qëndrueshme”- thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se BE u bën thirrje palëve të përmbahen nga çdo veprim që mund të dërgojë në rritje të tensioneve.

“Ne përsërisim thirrjen që të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritje të mëtejshme të tensioneve dhe të ndërmarrin hapa urgjentisht për të shtendosur situatën aktuale në veri të Kosovës në përputhje me propozimin e bërë nga HRVP Borrell më 22 qershor” – ka thënë Stano.

Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e  dy organizatave, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, organizata terroriste.

Ky vendim ka nxitur reagimin e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës të cilët kanë deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk u koordinua me ta për shpalljen terroriste të dy organizatave në veri.

Departamenti amerikan i Shtetit, Zyra e BE-së në Kosovë, KFOR, e ambasadat e disa prej vendeve të QUINT-it, thanë që ekzekutiv kosovar nuk është koordinuar me ta për këtë vendim.

Emblema të dy organizatave të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë parë më 23 qershor në një veturë me targa të Beogradit afër Komunës së Zveçanit, ku janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.

DASH: Qeveria e Kosovës është dashur të koordinohet me partnerët për shpalljen e organizatave terroriste