Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair vizitë në Kosovë - 10.06.2024 - Foto: Kuvendi i Kosovës
BBC: Tony Blair në diskutime për drejtimin e autoritetit kalimtar të Gazës
Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, është përfshirë në diskutime për drejtimin e një autoriteti kalimtar në Gazë nëse do të ketë armëpushim, ka mësuar të premten (26.09.2025) televizioni britanik, BBC.
Blair, i cili e përfshiu Britaninë e Madhe në luftën e Irakut më 2003, është përfshirë në bisedime të nivelit të lartë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës dhe për periudhën pas konfliktit për territorin palestinez, raporton mediumi britanik.
Në thelb të propozimit të fundit- të diskutuar prej presidentit amerikan, Donald Trump, dhe liderëve arabë në Kombet e Bashkuara gjatë javës – është ideja që Gaza të drejtohet prej një trupe të përkohshme me mbështetje të OKB-së dhe vendeve të Gjirit, para se kontrollu t’u dorëzohet palestinezëve.
Një propozim që thuhet se ka marrë përkrahjen në Uashington thekson se Blair do të marrë timonin e autoritetit, megjithëse zyra e tij ka thënë vetëm se ai nuk do të përkrahte asgjë që përfshin zhvendosjen e qytetarëve të Gazës.
Tony Blair ishte në një takim me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë në gusht që të diskutonte planet për periudhën e Gazës pas luftës, të cilën emisari special amerikan, Steve Witkoff, e ka përshkruar si “shumë gjithëpërfshirëse” – megjithëse pak hollësi të tjera të takimit janë bërë publike.
Ish-kryeministri britanik ka shërbuer si emisar për Lindje të Mesme në emër të Kuartetit (SHBA-së, OKB-së, BE-së dhe Rusisë) për disa vite me radhë pas ishte larguar nga detyra kryeministrore më 2007. Ai është fokusuar në sjelljen e zhvillimit ekonomik në Palestinë dhe në krijimin e kushteve për zgjidhje me dy shtete.
Si kryeministër, Blair kishte marrë vendimin që forcat britanike të përfshiheshin në luftën e Irakut më 2003, një vendim që ishte kritikuar prej një hetimi zyrtar konfliktit, duke treguar se ai kishte vepruar bazuar në inteligjencë të paqëndrueshme pa pasur sigurinë për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë në Irak.
Raportet për diskutime rreth përfshirjes së tij në autoritetin kalimtar për Gazën vijnë pasi presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, deklaroi të enjten se është gati të punojë me presidentin Trump dhe udhëheqës të tjerë botërorë për të zbatuar një plan paqeje me dy shtete.
Abbas ka theksuar refuzimin për një rol qeverisës të ardhshëm për “Hamasin” në Gazë dhe kërkoi që të çarmatoset grupi militant.
Mbretëria e Bashkuar së bashku me Kanadanë dhe Australinë e ka njohur gjatë javës zyrtarisht shtetin e Palestinës. Të tjera vende ndoqën këtë shembull, përfshirë Francën dhe Danimarkën, ndërsa Izraeli dhe SHBA-ja kritikuan këtë veprim si shpërblim për “Hamasin”.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se veprimi diplomatik do të thotë që “Hamasi” nuk mund të ketë “asnjë të ardhme, asnjë rol në qeveri, asnjë rol në siguri” dhe ishte “e kundërta e vizionit të tyre të urryer”.
Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gazë si kundërpërgjigje ndaj sulmit të udhëhequr nga “Hamasi” në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Të paktën 65.419 persona janë vrarë në sulmet izraelite në Gazë që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga “Hamasi” në territor. Një komision hetimor i OKB-së ka thënë se Izraeli ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gazë, por që Izraeli e mohon.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com