Bastisje të reja në Mitrovicën e Veriut, vazhdojnë hetimet për sulmin terrorist në Banjskë 

Vetëm pak pas orës 9 ekipe të shumta të Policisë së Kosovës dhe të hetuesëve të ndryshëm janë nisur drejt veriut për të kryer edhe disa bastisje të tjera në lidhje me sulmin terrorist që u krye në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. 

Ekipi i KALLXO.com gjendet në vendin e ngjarjes dhe ka parë që përveç ekipeve të policisë janë edhe EULEX-i. 

Ky aksion i mëngjesit të sotëm në Mitrovicë të Veriut, saktësisht tek tre rrokaqiejtë lidhet me sulmin në Banjskë. 

Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

E kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga zëvendësdrejtori i PK-së në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani. 

“Ne vazhdimisht po zhvillojmë aksione që po ndërlidhen me sulmin terrorist në Banjskë” – ka thënë ai.

Edhe para disa ditëve, më 17 tetor të këtij viti Policia kreu bastisje në 13 lokacione në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. 

Mitrovica e Veriut, Zveçani e Leposaviqi ishin qytetet tek të cilat policët kryen basitsje që po ashtu lidheshin me sulmin që ndodhi më 24 shtator.