Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Bastiset një hotel në Banjskë, intervistohen punëtorët

Një hotel i cili gjendet në Banjskë të komunës së Zveçanit është bastisur gjatë ditës se sotme pas zhvillimeve që ndodhën dje në zonë.

Një grup terrorist, i cili dje rreth orës 3:00 të mëngjesit vrau një polic e plagosi një tjetër, u vendos në Banjskë për të vazhduar më pas sulmin ndaj forcave policore, të cilat iu kundërpërgjigjën sulmit.

KALLXO.com mëson se sot përveç bastisjes së hotelit janë intervistuar edhe punëtorët aty ndërsa tutje burimet tregojnë që është identifikuar një person që dyshohet se është i Mitrovicës.

Një veturë me targa të Rashkës e një tjetër automjet i rëndë janë gjetur në orët e pasdites nga ekipet policore në zonën përreth Banjskës pas disa orësh kërkime e identifikime të materialeve të ndryshme pas ngjarjeve të zhvilluara gjatë ditës së djeshme atje.

KALLXO.com gjatë kohës sa po qëndron në afërsi të Banjskës ka parë nga afër që një mjet transportues i Policisë së Kosovës ka bartur një veturë me targa te Rashkës nga brenda Banjskës për në Mitrovicë.

Në këtë veturë siç mëson KALLXO.com nga burime, Policia kishte hasur në armatim të rëndë përfshirë këtu edhe “Zola”, granata dore e disa pajisje të tjera.

Ekipe të ndryshme të Policisë po vazhdojnë që të kryejnë kontrolle të detajuara në Banjskë dhe përreth saj pas ngjarjeve që u regjistruan dje.

Një grup terrorist fillimisht në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm vranë një zyrtar policor, Afrim Bunjakun dhe plagosen një tjetër e më pas u vendosën në zonën e Manastirit të Zveçanit nga ku edhe sulmuan policinë disa herë.

Policia iu kundërpërgjigj sulmit ndaj grupit terrorist i cili ishte armatosur me pajisje prej më të ndryshmeve ushtarake e qe pas disa orësh shumica nga ta arritën që të arratiseshin.

Policia nga dje ka krijuar pika të shumta kontrolli në Banjskë dhe përreth saj dhe nuk lejohet askush të hyjë brenda pa u kontrolluar. Në këtë rast të drejtë qe të hyjnë brenda kësaj zone aktualisht kanë vetën banorët që jetojnë aty.

Me mjete të rënda, autoblinda policia po vazhdon edhe në orët e tanishme qe të kryejë kontrolla.

Sot në mëngjes policia gjeti një numër të madh të armatimit qe u përdor dje nga grupi terrorist.

Disa që u konfiskuan gjatë ditës së djeshme dhe sit në mëngjes u ekspozuan nga Policia e Kosovës mesditen e sotme duke treguar qartë se grupi terrorist ishte i armatosur deri në dhëmb me armatim të fundit.