Largohet një anëtar i ekipit të avokatëve të Rexhep Selimit
Një nga avokatët mbrojtës të Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara të Hagës, avokati David Young është larguar nga ekipi mbrojtës i ish-komandantit të UÇK-së.
Në njoftimin e gjykatës nuk jepen arsye për largimin e këtij avokati.
Por mbrojtësi tjetër i Selimit, Goeffrey Roberts i cili edhe e ka dërguar letrën për përfundimin e kontratës së avokatit David Young më 08.02.2024, ka informuar Zyrën e Mbrojtjes se përfundimi i kontratës të David Young nuk do të ketë efekte të pafavorshme për Rexhep Selimin dhe procedimin e mëtutjeshëm të çështjes.
Me 13.02.2024, Sekretaria e gjykatës e ka konfirmuar zyrtarisht largimin e David Young nga ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit, i njohur me nofkën e luftës, ‘10-shi’.
Bashkëshortja e Rexhep Selimit, deputetja Shqipe Mehmeti Selimi përmes një njoftimi në Facebook e ka konfirmuar largimin e avokati David Young, po thotë se arsyet nuk janë financiare, por shëndetësore.
“E shkruaj këtë sqarim, në lidhje me lajmet e fundit që po qarkullojnë në media se njëri nga avokatët në ekipin e Rexhep Selimit është larguar nga ekipi. Një gjë e tillë është e vërtetë, por nuk ka të bëjë asgjë me çështje financiare, por me çështje shëndetësore të avokatit David Young. Ekipi i Rexhep Selimit vazhdon punën si gjithmonë, të përkushtuar ndaj të drejtës dhe fitores.” – ka shkruar Shqipe Selimi në Facebook.
Më 30.01.2024, avokatët Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe Ekipi mbështetës i Greenberg, kishin kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja për Hashim Thaçin, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale.
Në parashtresën e bërë thuhet se Thaçi nuk ka arritur të përmbushë detyrimet financiare ndaj tyre.
Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar më 30.01.2024 se rreth 23 milionë euro janë shpenzuar për avokatët e 8 ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë, thekson në përgjigjen për KALLXO.com Ministria e Drejtësisë.