Daut Haradinaj dëshmitar në rastin 'Veteranët'
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj është paraqitut në cilësi të dëshmitarit në rastin e njohur si “Veteranët”, më 26.02.2204 në gjykatë.
Haradinaj së bashku me katër dëshmitarë të tjerë janë thirrur nga ana e mbrojtes së të akuzuarve për të dëshmuar lidhur me këtë rast.
Daut Haradinaj kërkoi nga gjykata që të dëgjohet i pari si dëshmitar për shkak të agjendës ani pse i njëjti ishte i pesti në radhë për t’u dëgjuar.
Rasti “Veteranët” është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 24.03.2022 por që seanca e parë e rigjykimit u mbajt më 31.10.2023.
Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t`u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.
Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.
Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.
Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.
Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.
Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.
“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.