Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bajqinovci për vilën e tij që u dogj në Podujevë: U gjetën shishe të cilat kishin lëndë djegëse brenda
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pasi u raportua se iu dogj vila në fshatin Katunishtë të Podujevës, më 24.09.2024.
Sipas Bajqinovcit, Policia ka gjetur shishe në vilë, të cilat kishin lëndë djegëse brenda dhe dyshohet se është zjarrvënie.
“Mbrëmë mora lajmin se më është djegur shtëpia e vikendit e ndërtuar në vitin 2017, që e shfrytëzojmë me familjen time, e cila ndodhet në bjeshkët e Popovës, në komunën e Podujevës, në kufirin me Shalën e Bajgorës. Rreth 5 orë me hetime intenzive, fillimisht u mendua se shkaktare e zjarrit ishte rryma, por gjatë hetimeve intenzive dhe shumë profesionale të policisë, u gjetën edhe shishe të cilat kishin lëndë djegëse brenda, dhe dyshohet se është zjarrvënie” – ka shkruar Bajqinovci në Facebook, më 25.09.2024.
Bajqinovci shpreson se hetimet do të zbardhin të vërtetën sa më shpejt për këtë rast.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për KALLXO.com, më 24.09.2024, se nuk raportohet për ndonjë person të lënduar.
“Aktualisht hetuesit policorë në koordinim me prokurorin kanë nisur një hetim për rastin” – ka thënë Ahmeti.