Babai i Triumf Rizës - Enver Sekiraqës: Ti je vrasës

“Familja jonë nuk kemi pasë kurrë probleme me kërkan, i vetmi njeri që zyrtarisht, në mënyrë zyrtare ka pasë problem ka qenë Enver Sekiraqa, prandaj ky është vrasës nuk është ai që ka mbetë në burg” – Shefqet Riza.

Në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës u ul sot Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës në vitin 2007.

Gjykimi i sotëm u përcoll me deklaratë të fortë nga Shefqet Riza, babai i të vrarit Triumf Riza i cili Sekiraçën e quajti vrasësin e djalit të tij.

“Ja ka të drejtë, ja ka krimineli që e ka vra, dytë nuk munden me pas të drejtë”. “Ky është vrasës, nuk është ai që ka mbetë në burg”, ishin fjalët me të cilat u drejtua i ati i të vrarit Triumf Riza, të akuzuarit Enver Sekiraqa.

Kujtojmë se Arben Berisha vuan dënimin prej 35 vitesh burgim për vrasjen e Triumf Rizës e që për nxitjen e të cilës po akuzohet dhe gjykohet Sekiraqa.

E gjithë kjo erdhi pas administrimit të provave materiale nga ana e Prokurorisë Speciale të përfaqësuar nga prokurori Shpëtim Peci.

Gjithësej u administruan 81 prova materiale nga Prokuroria ndërsa u elaboruan vetëm dy prej tyre – raporti i bastisjes së lokalit “Sekiraqa” dhe raporti i përgjimeve hartografike.

Mbrojtja e Sekiraqës me avokaten Kosovare Kelmendi këtë listë të provave e quajti boshe dhe të pakuptimë.

“Lista të cilën prokurori i nderuar e lexoi paraqet një kuantitet i cili në fakt në përmbajtje është absolut bosh dhe i pakuptimtë dhe nuk ka asnjë relevancë me objektin e akuzës”- u shpreh Kelmendi.

Kështu avokatja Kelmendi kundërshtoi një pjesë të konsiderueshme të tyre dhe dha qëndrim për secilën provë veç e veç.

Theksi u vu tek dy prej tyre, e që janë pikërisht ato prova që u elaboruan paraprakisht nga prokurori Peci.

Bastisjen e lokalit “Bar Sekiraqa” mbrojtja e quajti “një shkelje flagrante të të gjitha dispozitave”.

Sipas mbrojtjes lidhur me këtë bastisje atëkohë nuk është lëshuar urdhër nga gjykata si dhe bastisja ka filluar shumë më herët se që është konstatuar.

“Në atë procesverbal nuk figuron fare në rubrikë as se është marrë urdhëresë verbale… ka filluar shumë më herët se që është konstatuar në procesverbal. Këtë e bazojmë në raportin policor nga Bekim Rrustemi i cili ka shënuar se “në orën 18:50 kemi qenë në lokalin Sekiraqa”.

Mbrojtja tha se kjo dëshmohet përmes kohës e cila shfaqet në foto albumin e bastisjes.

“Përveç kësaj janë fotografitë nga foto albumi i bastisjes së lokalit i kemi orët 18:45”- u shpreh e njëjta.

Lidhur me këtë në elaborimin e tij, prokurori Peci tha se në kohën kur është kryer kjo bastisje ligji i atëherëshëm nuk e ka paraparë të nevojshme dhënien e urdhërit në situata emergjente.

“Neni i atëherëshim i kodit të përkohshëm të procedurës penale ka lejuar kontrollin edhe pa urdhër të gjyqtarit në rastet specifike kur është dashur që të veprohet me urgjencë, ka mjaftuar vetëm urdhri verbal apo gojor”- u shpreh Peci.

Ndërkaq këtë e bazoi edhe në dëshminë e Fadil Gashit dhe Latif Merovcit, zyrtarë policor.

“Sa i përket këtij urdhri zyrtarët policor kanë konfirmuar gjatë dëgjimit të tyre në cilësi të dëshmitarëve në këtë çështje se para kryerjes së urdhër kontrollit kanë marrë leje verbale nga ish gjyqtarja e procedurës paraprake Drtia Hoxha”- tha në vazhdim prokurori.

Prova tjetër për të cilën pati kundërthënie gjatë seancës kishte të bënte me disa harta topografike të cilat mbrojtja i quajti manipulime si dhe u thirr në ligjin mbi komunikim elektronik i cili sipas mbrojtjes përcakton se të dhënat nuk mund të ruhen mbi një vit.

“Asnjë nga hartat topografike nuk janë të vitit 2007 edhe asnjë nuk përmban as vulën as logon e PTK -së, nga këto manipulime ka rezultuar konstatimi qesharak se ditën kritike Enver Serkiaça përafërsisht 2 orë para ngjarjes kritike ka qenë në qendër të Prishtinës sipas hartografike, kurse pas 3 minutave ka qenë në Podujevë”- shtoi tutje avokatja Kelmendi.

Ndërkaq Prokurori Peci thekson se anipse ky ligj e ka përcaktuar periudhën 1 vjeçare të ruajtjes së të dhënave, ajo nuk e ka përcaktuar shkatërrimin e të njëjtave.

“Ligji për përgjime ka përcaktuar se ruajtja dhe administrimi i të dhënave për ofruesit e shërbimeve ka përcaktuar kohën prej 1 viti të ruajtjes së të dhënave, mirëpo nuk ka përcaktu se të njëjtat duhet të shkatërrohen”- tha prokurori Peci.

Më pas seanca procedoi me propozimin e provave të reja materiale nga ana e mbrojtjes, për të cilat trupi gjykues ka mbetur të vendosë jasht seancës.

Në këtë rast trupi gjykues është në përbërje prej Agim Kuçit – kryetar dhe antarëve Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Seanca e radhës pritet të mbahet më datë 8 nëntor.

Kujtojmë që Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga Gjykata e Prishtinës.

Herën e parë ( 17.05.2016) i njëjti ishte dënuar me 37 vite dënim me burgim kurse herën e dytë ishte dënuar ( 16.09.2019) me 30 vite dënim me burgim.

Çfarë thotë aktakuza?

KALLXO.com kishte siguruar akuzën e parë me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës që u krye nga Arben Berisha, njeriu i besueshëm i Sekiraqës.

Në këtë akuzë thuhet se më 30 gusht 2007 në Prishtinë, Enver Sekiraqa ka nxitur Arben Berishën që të privonte nga jeta Triumf Rizën, i cili shërbente si zyrtar policor më Shërbimin Policor të Kosovës.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com thotë se katër të akuzuarit këtë e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhet në akuzë.

Akuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjell lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Ky mesazh, sipas akuzës që është siguruar nga KALLXO.com i referohej viktimës Triumf Riza, banesa e të cilit thuhet se ishte në anën e kundërt të rrugës ku gjendej kafeneja “Sekiraqa”, e i cili në atë kohë gjendej në hotelin “Grand” të Prishtinës.

Me të pranuar këtë SMS, akuza thotë se Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, që ishte e tipit “Passat”, kanë shkuar në kafenenë “Queens”

Në këtë kafene, Arben Berisha u tha se është futur i armatosur me ‘Glock’ të kalibrit 9×19, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.

Akuza tregon se Arben Berisha kishte vrapuar pas tij dhe kishte shtënë me 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.

Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Triumf Rizën duke e plagosur atë për vdekje.

“Mënyra e vrasjes ka qenë mizore dhe mashtruese pasi që ka qenë e para-planifikuar dhe është ekzekutuar nga një grup kundër një viktime të pambrojtur e që është qëlluar nga prapa” – thuhet në akuzë kundër Enver Sekiraqës.

Triumf Riza, sipas kësaj akuze është vrarë pasi gjatë viteve që kanë shpirë deri të vrasja e tij, ai kishte qenë shënjestër për hakmarrje.

Në vitin 2004, Riza ishte shoqëruar me Adelina Ismajlin, e që akuza thotë se që nga vitin 2003 ajo kishte qenë duke vuajtur në duart e të pandehurit e të bandës së tij pasi që Enver Sekiraqa shpesh e kishte kërcënuar atë.

Madje, akuza thotë se në shumë raste, Sekiraqa e kishte detyruar Adelina Ismjalin t’i jepte atij shuma të ndryshme parash që varionin nga qindra euro deri në 9 mijë euro.

Po ashtu, akuza tregon se më 24 dhjetor të vitit 2005, në një klub nate të quajtur “Sëiss Casino” në Prishtinë, kishte ndodhur një përleshje e dhunshme në mes të Triumf Rizës dhe bandës së Enver Sekiraqës.

Në këtë përleshje kishte pasur edhe të shtëna armësh dhe ishin lënduar një numër individësh. Në këtë incident është thënë se është lënduar edhe vet Enver Sekiraqa, i cili ishte shtruar në spital, si rezultat i incidentit të dhunshëm me të ndjerin.

Ky incident, sipas akuzës, ka shtyrë Enver Sekiraqën që aktivisht të kërkojë hakmarrjen kundër Triumf Rizës

Për këtë, i pandehuri gjithashtu fajëson Triumf Rizën duke besuar se ai i kishte inkurajuar kolegët e tij policor që të sulmonin Sekiraqën.

Akuza thotë se duke qenë se ishte në kërkim të hakmarrjes dhe i inatosur me veprimet e Triumf Rizës, në periudhën deri te vrasja e tij, Enver Sekiraqa dhe banda e tij shumë shpesh e kanë ndjekur atë me makina duke përpjekje për ta lënduar dhe frikësuar.

Po ashtu, akuza thotë se pretendohet se Enver Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen e Triumf Rizës, duke e organizuar bandën e tij që ta ndiqnin Triumf Rizën dhe duke e nxitur Arben Berishën, i cili ishte personi i tij i besuar brenda grupit që të shtinte të shtënat e vrasjes.

Triumf Riza tregohet se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Arben Berishën, por vetëm me Enver Sekiraqën.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.