Murat Jashari | Foto: Facebook

Vdes Murat Jashari, i akuzuar për plagosjen e Azem Vllasit

Para disa minutave ka vdekur Murat Jashari, i akuzuari për plagosjen e Azem Vllasit.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, avokatja e tij, Fehmije Gashi-Bytyqi.

Sipas saj, Murat Jashari ka vdekur prej kancerit.

“Sipas doktorëve, Murat Jashari ka vdekur prej kancerit”, tha avokatja.

Avokatja tregoi se kishte kërkuar vazhdimisht nga Gjykata që klienti i saj të lirohej për arsye se ai ka pasur një sëmundje shumë të rëndë psikike, të pashërueshme.

Ajo shtoi se Murat Jashari ka vdekur “prapa grilave”.

“Ai ka qenë në një fazë të trajtimit, është kthy në rigjykim edhe tash mjekët në seancën e fundit treguan që ai është shumë keq, por megjithatë ai vdiq prapa grilave”, ka thënë avokatja Gashi-Bytyqi.

Murat Jashari dhe disa persona të tjerë akuzoheshin për plagosjen e Azem Vllasit, në mars të vitit 2017, në rastin e njohur si ‘Syri i Popullit’.

Gjykata, më 9 shkurt të këtij viti, i kishte shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.

Masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të QKUK-së në Prishtinë ndaj të pandehurit Jashari ishte caktuar  të fillonte pas plotëfuqishmërisë së këtij aktvendimi.

Sipas Gjykatës, institucioni përkatës i kujdesit shëndetësor që do ta bënte ekzekutimin e kësaj mase në këtë institut dhe obligohej që ta njoftojë Gjykatën me raport me shkrim mbi implementimin e masës dhe gjendjes shëndetësore të të njëjtit.

Këtë raportim institucioni përkatës duhej ta bënte një herë në 6 muaj.