ARKIV - Foto: Kallxo.com
Pse u kthye në rigjykim dosja për plagosjen e Azem Vllasit
Gjykata e shkallës së parë në Prishtinë më 21 janar mori vendim dënues ndaj të akuzuarve të organizatës të ashtuquajtur “Syri I Popullit”.
21 janari ishte dita kur trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Naime Krasniqi, shpalli vendimin se organizata “Syri i Popullit” ishte fajtore për tentim vrasjen e avokatit Azem Vllasi.
Gjykata dënoi Avni Llumnicën me 12 vjet burgim unik për veprat penale të hakmarrjes, sulmit seksual dhe terrorizmit, si dhe i konfiskoi veturën e markës “BMË X5”.
Për terrorizëm u dënuan edhe Sadri Ramabaja me 5 vjet burgim, Ragip Sallova 4 vjet, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim, Halim Halimi u dënua me 3 vjet burgim.
Ndërsa Bajrush Konjusha u dënua me nga 3 vjet burgim efektiv si dënim me gjobë në shumë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje të një pushke ajrore dhe një revole me gaz e modifikuar.
Behxhet Luzha u dënua me 2 vjet burgim për shkak të moslajmërimit të veprës penale.
Ndërsa Murat Jasharit iu shqiptua masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje pre 10 viteve si dhe iu konfiskua arma e llojit “Crvena Zastave” me shurdhues.
Grupit në total iu shqiptuan më shumë se 30 vjet heqje lirie.
Por në aktgjykimin 117 faqesh të 3 marsit 2020 të gjykatës së shkallës së parë të shkruar nga kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi Jashanica, Apeli gjeti plot 11 shkelje te ligjit që si pasojë pati prishjen e vendimit dhe kthimin e lëndës në rigjykim.
Apeli më 23 qershor 2020, kishte mbajtur seancën e kolegjit në të cilën u dëgjuan pretendimet ankimore të të akuzuarve.
Më ketë vendim Apeli vendosi që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja penale të kthehet nga pika zero, po ashtu Apeli vendosi që të akuzuarin Sadri Ramabajën t’a lirojë nga paraburgimi.
11 shkelje esenciale e gjetura nga Apeli kanë të bëjnë me mbajtjen e seancës gjyqësore pa praninë e të akuzuarit, përjashtimi i publikut pa aktvendim të arsyetuar, mungesën e propozimit të të dëmtuarve për ndjekje, gjykimin e rastit duke tejkaluar akuzën, mospërpilimin e aktgjykimit konform ligjit, shkeljen e mbrojtjes, shkeljen e ligjit penal, mos-arritjen e vërtetimit të veprës penale, vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe mbajtjen e gjykimit ndaj personit i cili nuk është në gjendje shëndetësore mendore për përballimin e gjykimit.
Apeli fillimisht ka gjetur se vendimi dhe arsyetimi i aktgjykimit të 3 marsit është kontradiktor dhe në kundërshtim me veten.
Pastaj ka gjetur se gjykata më 3 maj 2019, kishte mbajtur seancën gjyqësore pa praninë e të akuzuarit Bajrush Konjusha, e në të cilën kishte deklaruar dëshmitari Advan Latifi, e me mbajtjen e kësaj seance në mungesë të akuzuarit Konjusha atij i është mohuar e drejta ta marrë në pyetje dëshmitarin Latifi.
Tutje Apeli ka gjetur se gjykata kishte përjashtuar publikun në seancën 11 prillit 2018, pa arsyetuar me vendim pse është dashur të përjashtohet publiku.
Ndër të tjera Apeli gjeti se shkalla e parë nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për kryesit me çrregullime ligjore pasi kishte zbatuar procedurë të bashkuar ndaj Murat Jasharit dhe të akuzuarve të tjerë, ndonëse qysh në fazën hetimore prokuroria ka siguruar provë për gjendjen e paaftësisë mendore të Murat Jasharit.
Po ashtu, Apeli ka gjetur se shkalla e parë në seancën e 12 prillit 2019, kishte vendosur që të lexonte deklaratat e dëshmitarëve të cilët nuk ishin prezentë por nuk u kishte dhënë mundësi mbrojtësve të kundërshtonin deklaratat e lexuara.
Apeli, tutje ka gjetur se ndonëse Gjykata e shkallës së parë ka nxjerrë vendim dënues edhe në raport me të pandehurin Murat Jashari, ndërsa në arsyetim ka shkruar se “kishte për të kryer” veprën penale hakmarrje e që sipas ligjit pjesa “kishte për të kryer” përdoret kur gjykata merr aktgjykim refuzues dhe lirues.
Po ashtu, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë kishte tejkaluar akuzën, pasi që në aktgjykim kishte përfshirë si inkriminues edhe takimin e 3 janarit 2017 që kishte ndodhur në shtëpinë e të akuzuarit Ragip Sallovës, por që në aktakuzë prokuroria nuk i akuzon për këtë takim.
Ndër të tjera, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë po ashtu e ka bazuar aktgjykimin në deklaratën e të dëmtuarit N.Z., duke e ndërlidhur me pikën e akuzës për sulm seksual e për të cilën vepër i akuzuari Llumnica edhe është dënuar por gjykata ka dështuar të ofrojë mundësi ligjore që e njëjta deklaratë të kundërshtohet nga i akuzuari Llumnica.
Nga vendimi i Apelit rezulton se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë akuzën e prokurorisë për veprën penale të hakmarrjes në raport me të akuzuarin Avni Llumnica pasi e njëjta nuk kishte vlerësuar në mënyrë të drejtë deklaratat e dëshmitarëve të mbrojtur A2 dhe A3 të cilët kishin deklaruar se I akuzuari Avni Llumnica në takimin e mbajtur në restoranin “Villa Panorama” në Matiqan ku ishte i ulur në tavolinë me Murat Jasharin dhe një person tjetër, i akuzuari Llumnica nuk kishte folur fare.
Po ashtu, Apeli ka gjetur se gjykata e shkallës së parë nuk e ka vërtetuar në mënyrë të plotë gjendjen faktike edhe për veprën penale të sulmit seksual me të cilën ngarkohet i akuzuari Avni Llumnica pasi që në shqyrtim gjyqësor ka lexuar deklaratën e të dëmtuarit N.Z., ndërsa gjendjen faktike në arsyetim të aktgjykimit e ka bazuar në deklaratën e dëshmitarit G.H., dëshmia e të cilit nuk kishte të bënte fare me rastin e të dëmtuarit N.Z.
Apeli ka gjetur se gjykata e shkallës së parë ka shkelur edhe ligjin penal për arsye se nuk ka arritur që gjatë shqyrtimit gjyqësor të vërtetojë elementet e veprave penale të akuzës.
Andaj Apeli nga shkeljet e gjetura të Krimeve të Rënda ka vendosur që pasi lënda të shkojë në Gjykatën e shkallës së parë ajo të rigjykohet dhe të rivendoset nga Departamenti Special.
Po ashtu Apeli ka udhëzuar që aktakuza të kthehet në Prokurori për t’u rregulluar lidhur me pjesën e të pandehurit Murat Jashari, pasi që ndaj të njëjtit duhet të paraqitet propozimi për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor.
Prokuroria Speciale, ngriti aktakuzë ndaj 10 personave lidhur me këtë rast më 27 shkurt 2018.
Aktakuza kishte të bënte me plagosjen e ish politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasin, tani avokat.
Pjesë e aktakuzës ishin veprat penale duke filluar nga hakmarrja, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.
Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.
Të gjitha lajmet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.