Avokatja kërkon përjashtimin e Prokurorisë së Prizrenit dhe prokurorit në rastin e Iran Badallit

Në gjykim ndaj të akuzuarit Iran Badalli, mbrojtësja e tij Ermira Gavazaj-Gutaj ka paraqitur kërkesën për përjashtimin e prokurorit të rastit dhe Prokurorisë së Prizrenit dhe ka kërkuar që lëndën ta merr Prokuroria Speciale.

Sipas avokates, arsyeja e kësaj kërkese është mosveprimi me apo pa qëllim i prokurorit Metush Biraj lidhur me mbledhjen e provave të domosdoshme.

“Kemi jo-objektivitet gjatë zhvillimit të hetimeve, dyshojmë në njëanshmëri, shkelje ligjore dhe joprofesionale gjatë gjithë fazës hetimore e cila po shprehet edhe gjatë shqyrtimit kryesor nga ana e prokurorit Metush Biraj”, tha avokatja.

Gavazaj-Gutaj tha se nga prokurori i rastit nuk ishin ndërmarrë veprimet e domosdoshme ligjore për t’u nxjerr ekspertizat si prova kyçe për identifikimin e kryerësit të veprës penale.

Ajo shtoi se hetuesit policor në ditën e ngjarjes, kanë keqpërdor autorizimin për kontroll duke filluar kontrollin pa praninë e pronarit dhe duke shkaktuar shpërthimin e eksplozivit ku si pasojë mbetën të lënduar edhe dy fëmijët e të akuzuarit.

Ndër pikat e tjera të cilat ajo i paraqiti para trupit gjykues, ishte edhe lidhur me dëshmitarët okularë, zyrtarët policorë Faton dhe Flamur Veselaj, ku sipas avokates të njëjtit nuk kanë dëshmuar lidhur me rastin. Ndërsa të dëmtuarit, Arsim Bytyçi, Jetmir Hasanaj dhe Artur Mrasori kanë dhënë deklarata 10 muaj më vonë nga rasti që ka ndodhur.

Mbrojtësja Gavazaj-Gutaj pati vërejtje edhe për marrëveshjen për pranimin e fajësisë në mes të akuzuarit tjetër në këtë rast dhe Prokurorisë.

“Marrëveshja për pranimin e fajësisë lidhur në mes Prokurorit të shtetit dhe të akuzuarit Valbon Çollaku ka qenë kundërligjore dhe nuk është dashur të lidhet sepse ka qenë qëllimisht e hershme me qëllim të vështirësimit të mbledhjes së fakteve nga prokurori dhe e gjitha kjo për ta fajësuar të pandehurin Iran Badalli”, tha avokatja Ermira Gavazaj – Gutaj.

Mbrojtësja e të akuzuarit Iran Badalli, këtë kërkesë e ka paraqitur me shkrim ndërkaq të njëjtat pika i elaboroi në seancë.

Pas kësaj, trupi gjykues mori vendim që seancën e sotme dhe atë të datës 27 shtator ta anulojë.

Seanca e radhës do të caktohet pasi të vendoset lidhur me kërkesën për përjashtimin e Prokurorit dhe Prokurorisë së Prizrenit për këtë rast.

Në shqyrtimin e sotëm ka munguar i dëmtuari Artur Mrasori dhe e dëmtuara Merita Qunaj të cilët për shkaqe shëndetësore nuk qenë të pranishëm në gjykim.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020 në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjet eksploziv dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza, thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi prej 63 centimetra.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku, ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallait dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Mirëpo, Çollaku, kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata në Prizren, të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit të cilët nga Prokuroria po akuzohen për dy vepra penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe lëndimin e disa zyrtarëve të tjerë të Policisë si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë ngjarje.

Mungojnë të dëmtuarit dhe gjykatësi, shtyhet gjykimi për shpërthimin në Zhur ku mbet i vrarë polici Sami Thaçi

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin Drejtësia në Kosovë.

Misteret e vrasjes së policit, A u zbulua drogë në shtëpinë në Zhur?