Misteret e vrasjes së policit, A u zbulua drogë në shtëpinë në Zhur?
Emisionin “Drejtësia në Kosovë” sonte transmetoi hulumtimin rreth ngjarjes tragjike e cila ndodhi ditë më parë në Zhur të Prizrenit ku një polic mbeti i vdekur e dy të tjerë u lënduan rëndë nga një shpërthim në një shtëpi deri sa po kryhej një bastisje.
Dosja e prokurorisë shpjegon se katër polic të njësitit të Anti-Drogës e katër polic të Njësitit të Reagimit të Shpejtë, ishin nisur drejt Zhurit pasi që kishin marrë informacion se një i dyshuar posedonte drogë.
Dosja e hetimit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit tregon se në shtëpi nuk ishte gjetur asnjë substancë narkotike.
Madje Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala ka shpjeguar edhe se nga kush kishte ardhur informata për substanca narkotike.
“Thirrja ka ardhur nga njëri prej fëmijëve. Informacioni për policinë ka qenë i besueshëm sepse ka ardhur nga vendi i ngjarjes, për policinë informacioni ka qenë i besueshëm sepse ka ardhur prej vendit të ngjarjes dhe kanë besuar se në të vërtetë mund të ketë marihuanë apo substanca tjera narkotike”, tha Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.
Ai madje shton se në shtëpi nuk është gjetur drogë siç ishte marrë informacioni.
“Të gjitha dëshmitë janë mbledhur nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk kemi një raport përfundimtar se çka është gjetur saktësisht në vendin e ngjarjes. Por në bazë të informacioneve të para nuk është gjetur ndonjë sasi e theksuar e substancave narkotike, nga ato që është gjetur nga vendi i ngjarjes do të shoh laboratori se çfarë lëndë janë ato”, tha ai.
Kryeprokurori Shala tregoi edhe se si është përshkruar ngjarja në dosjen e hetimit.
“Siç e thash edhe më herët, policia me ekipet e specializuara të saj, gjatë kontrollit të shtëpisë tre nga hetuesit e policisë janë ngjitur në katin e dytë, dhe as ngjitjes ata kanë hasur në një mjet shpërthyes dhe eksplozdimi ka ndodhur në atë dhomë ku kanë qenë tre hetues të policisë së Anti- Drogës”, tha ai.
Ai shton se ende nuk kanë marrë një raport final që të dihet saktë se cili lloj i eksplozivit është përdorur në ngjarje.
“Të gjitha provat e mostrat janë mbledhur dhe janë dërguar në forenzike dhe ende nuk kemi ndonjë informacion për llojin e eksplozivit dhe jemi duke pritur një raport, nga ana e forenzikës për të konstatuar saktë se çka në të vërtetë ka eksploduar atë natë”, tregon tutje Kryeprokurori Shala.