Mungojnë të dëmtuarit dhe gjykatësi, shtyhet gjykimi për shpërthimin në Zhur ku mbet i vrarë polici Sami Thaçi

Në gjykimin ndaj Iran Badallit dhe Arben Gashit, ku pati ndodhur shpërthimi në Zhur të Prizrenit, e që rezultoi fatal për policin Sami Thaçi, gjykata ka dështuar të vazhdojë procesin gjyqësor.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e të dëmtuarve Artur Mrasori, Merita Qunaj dhe gjykatësit Fidan Hoxha.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi konstatoi se nuk ishte prezent i dëmtuari Mrasori, për çka përfaqësuesi i tij, avokat Besnik Berisha përmes postës elektronika e kishte njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij ende ndodhet për mjekim jashtë vendit.

Kurse, edhe e dëmtuara Merita Qunaj, sipas avokatit Blerim Mazreku për shkaqe shëndetësore nuk mund të ishte prezente në gjykim.

Po ashtu, kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, në seancë bëri të ditur se anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Fidan Hoxha mungon për arsye se është i angazhuar me punë zyrtare në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Duke patur parasysh këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme nuk u mbajt kurse ajo e radhës u caktua për datën 23 dhe 27 shtator 2021.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020 në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjet eksploziv dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza, thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi prej 63 centimetra.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku, ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallait dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Mirëpo, Çollaku, kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata në Prizren, të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit të cilët nga Prokuroria po akuzohen për dy vepra penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe lëndimin e disa zyrtarëve të tjerë të Policisë si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë ngjarje LINK 

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin Drejtësia në Kosovë.

Misteret e vrasjes së policit, A u zbulua drogë në shtëpinë në Zhur?