Shtyhet përsëri seanca për gazin lotsjellës

Seanca e paraparë që të mbahej sot ndaj të akuzuarve ish deputetëve Haxhi Shala dhe Ismaijl Kurteshi është shtyrë përsëri për shkak se përfaqësuesi i palës së dëmtuar nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar që të pajiset me shkresat e lëndës në mënyrë që ta paraqes opinionin në seancë.

“Unë konsideroj se paraprakisht duhet të pajisem nga prokuroria me shkresat e lëndës, të marr edhe ndonjë dëshmi apo vendim nga administrata e Kuvendit të RKS-së në mënyrë që të konstatohet se a është shkaktuar dëm apo është penguar Kuvendi i RKS-së dhe pas analizimit, në seancën e radhës do ta paraqes edhe opinionin”, deklaroi përfaqësuesi i palës së dëmtuar.

Ai shtoi se lidhur me pretendimin apo supozimin për dëmin e shkaktuar në këtë rast palës së dëmtuar Kuvendit të RKS-së deri më tani Kuvendi nuk ka bërë ndonjë vlerësim apo analizim lidhur me ndonjë dëm eventual të shkaktuar, e po ashtu nuk është iniciuar ndonjë procedurë për të nxjerrë ndonjë vendim i cili do të lejonte vlerësimin nëse Kuvendi është dëmtuar në aspektin material dhe për këtë arsye sot nuk ka mundur të deklarohet.

Prokurori i çështjes Menduhi Kastrati tha se do ta pajisë me shkresat e kërkuara palën e dëmtuar.

Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Ismail Kurteshi, avokatja Teuta Zhinipotoku ka deklaruar që nuk e kundërshton propozimin e palës së dëmtuar mirëpo ka konsideruar se Kuvendi nuk është palë e dëmtuar në këtë rast. Gjithashtu ka shtuar se seanca e radhës të shtyhet për një kohë ta pacaktuar.

Ndërsa i pandehuri Ismaijl Kurteshi ka deklaruar e përkrah mendimin e avokates por dëshiron të shtoj, se ngjarja ka ndodhur para 6 vitesh dhe Kuvendi ende nuk ka dalë me një konstatim lidhur me dëmin e shkaktuar.

“Prandaj dalja me një konstatim pas 6 vitesh nuk e di sa mund të jetë reale dhe konsideroj se nuk ka nevojë për asnjë konstatim tjetër përveç atij se Kuvendi nuk është dëmtuar”, tha ai.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Shala, avokati Naser Sopjani tha se vlerëson që konstatimi i akuzës së Kuvendi e ka statusin e palës së dëmtuar nuk qëndron, për shkak se për të qenë i dëmtuar dikush duhet t’i jetë shkelur çfarëdo të drejte personale apo materiale apo siç njihet në dispozitat të drejtën pasurore.

Ndërsa i pandehuri Haxhi Shala ka deklaruar se i qëndron prapa asaj se çka tha mbrojtësi i tij, mirëpo shtoi se kompetent për interpretimin e rregullores i ka kryetari i Kuvendit, duke propozuar që të ftohet kryetari i Kuvendit që të bëjë interpretimin e rregullores.

Gjyqtari i çështjes Eroll Gashi ka lexuar fjalën hyrëse të Prokurorit të dhënë në bazë të procesverbalit të datës 27 maj 2021.

Pas propozimit të palës së dëmtuar si dhe deklarimeve të palëve në procedurë lidhur me propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar Gjykata ka marr aktvendim që kjo seancë e shqyrtimit gjyqësor të ndërpritet dhe shtyhet me datë 1 nëntor 2021 në ora 9:30.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Ismajl Kurteshi e Haxhi Shala, më datë 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

E këtë thuhet se e kanë bërë, në atë mënyrë që po sa ka filluar seanca dhe derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të pandehurit në vendin ku ishin të ulur kanë aktivizuar gazin lotsjellës me të cilin kanë pamundësuar mbajtjen e seancës.

Me këtë secili veç e veç, sipas Prokurorisë, kanë kryer veprën penale, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Në bazë të aktakuzës, i pandehuri Haxhi Shala më datë 17 nëntor 2015, rreth orës 11:40 në momentin kur pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajli, Mehdi Kozhani, Rifat Gashi, Ali Berisha dhe Faik Krasniqi kanë tentuar që ta shoqërojnë në polici Albin Kurtin, ai me deputetët të tjerë e ka pamundësuar shoqërimin e tij.

Me këtë veprim, sipas Prokurorisë Haxhi Shala në vazhdimësi ka kryer veprën penale, pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Aktakuza përshkruan se edhe Ismajl Kurteshi i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, në atë mënyrë që, në momentin kur ka filluar seanca plenare në Sallën Plenare, Kurteshi me qëllim që ta pengojë mbajtjen e asaj seance, ka hedhur gazin lotsjellës me çka ka pamundësuar mbajtjen e seancës.

Me këtë edhe Ismajl Kurteshin, Prokuroria e akuzon për kryerjen e veprës penale, pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ismajl Kurteshi ka qenë në arrest shtëpiak nga data 30 nëntor 2015, ndërsa nga data 14 dhjetor 2015 kjo masë i është shndërruar në masën e paraburgimit deri më 30 dhjetor 2015.

Ndërsa Haxhi Shala ka qenë në arrest shtëpiak nga data 30 nëntor 2015, deri me 30 dhjetor 2015