(Arkiv) Ish-ministrja Dhurata Hoxha në gjykatë, Foto: KALLXO.com

Dhurata Hoxha në gjyq për kontratat e lobimit: Mbrohem në heshtje

Ish-ministria e integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, ish-drejtori i prokurimit publik, Fitim Musafa dhe tre ish-sekretarët e kësaj ministrie, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani që po përballen me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare për rastin e kontratave lobuese, janë ulur edhe sot në bankën e të akuzuarve.

Pas fazës së propozimeve për plotësimin e administrimit të provave materiale dhe pas aprovimit nga ana e gjykatës të këtyre propozimeve të paraqitura nga prokuroria dhe nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve në seancën e kaluar, të pandehurve i’u erdhi radha për të dhënë mbrojtjen në lidhje me akuzat që prokurori ju vë në barrë.

Ish-ministrja Hoxha u deklarua para gjykatës se pas konsultimit me mbrojtësin e saj, shfrytëzon të drejtën të për tu mbrojtur në heshtje.

“Shfrytëzoj të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”- tha ish-ministrja Hoxha.

Të drejtën për tu mbrojtur në heshtje e shfrytëzuan edhe Mustafa, Shaha, Cukaj dhe Osmani, pas konsultimit me mbrojtësit e tyre.

Seanca e radhës ku do të paraqiten fjalët përfundimtare nga palët në procedurë do të mbahet më 24 prill të këtij viti.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi më 2020, KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po i akuzon se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.

Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.