Escobar: Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se është dashur të insistohet më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në vend se të lehtësonim afrimin e të dyja palëve sepse në disa raste ne kemi vërejtur se ka pasur vullnet në të dyja palët”- është shprehur ai.
Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit, sipas tij, është kyç për Kosovën.
“Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është kyç për Kosovën. Është më i vështiri dhe si më i vështiri ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal të vullnetit të saj për të adresuar çështjen e minoritetit serb në territorin e saj”- ka thënë Escobar në një intervistë për Qendrën në Evropë të Këshillit Atlantik.
Ai shpreson se palës amerikane do t’i jepet një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane për të thënë se Kosova ka bërë gjithçka që ka kërkuar BE-ja.
“ Nga perspektiva amerikane, për shkak se rruga evropiane ka përfshirë pjesë të këtij Asociacioni në çdo hap, ne besojmë se duke pranuar propozimin evropian, përmes procesit evropian që është dialogu dhe një marrëveshje që garantohet nga BE-ja, do t’i jepte palës amerikane një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane, për të thënë se Kosova ka bërë gjithçka që ka kërkuar Evropa, prandaj ka arsye për njohje të reja. Pa këtë, ne nuk kemi shumë material me të cilin mund të punojmë”- është shprehur ai.
📆 Tomorrow | 🕑 2:00 p.m. ET
“We should have insisted more on the implementation of the ASM because we noticed the lack of the good will on the both parties,” reflects DAS Escobar in #BalkansDebrief with @ilvatare on his last day of his term. pic.twitter.com/GQ3A8nSSEn
— Atlantic Council Europe Center (@ACEurope) May 16, 2024
Kjo deklaratë e Escobarit vjen pas njoftimit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gervlla më 16.05.2024, se i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.
Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
Qeveria ka pranuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si kusht për pranimin e shtetit në organizatën e Këshillit të Evropës.
Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.