Lansohet platforma “e-Komuna”, synohet që komunat të jenë më të hapura me qytetarët
Qeveria e Kosovës ka prezantuar platformën digjitale “e-Komuna”, nëpërmjet të cilës synohet që komunat të jenë më transparente dhe llogaridhënëse në raport me qytetarët.
Prezantimin e kësaj platforme e kanë bërë kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, më 17.05.2024.
Platforma është në kuadër të platformës shtetërore “e-Kosova” dhe në fillim do të ofrojë transmetimet direkte të mbledhjeve të asambleve komunale; raportimin e probleve në komunën përkatëse; komunikimin direkt me zyrtarin komunal; inicimin dhe kontribuimin në debatet publike; informacionet mbi komunat; si dhe në të ardhmen planifikohet të publikohen edhe pasuritë e zyrtarëve komunalë.
Kryeminsitri Albin Kurti tha se qëllimi i platformës është që të krijohet një linjë e drejtpërdrejtë e komunikimit në mes të qytetarëve dhe zyrtarëve komunalë.
“Sot po lansojmë një numër të shërbimeve të reja në E-Kosova, në kuadër të kategorisë e-Komunat. Këto shërbime rrisin interaksionin në mes të organeve komunale dhe qytetarëve, duke bërë qyetetarin pjesë aktive të vendimmarrjes dhe duke bërë që ai të jetë i njoftuar në kohë reale për zhvillimet përkatëse në komunën e tij” – tha Kurti.
Ndërsa ministri Krasniqi tha se përmes kësaj platforme qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale.
“Është krijuar e-Komuna e cila është pjesë e platformës shtetërore e-Kosova. Përmes kësaj kategorie ofrohet mundësia që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale, të kenë të dhëna të hapura dhe të qasshme, si dhe të rritet interaksioni në mes të qytetarëve dhe të organeve komunale” – tha ndër të tjera Krasniqi.