Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. FOTO: KALLXO.com

Nagavci për ndërtimin e çerdheve: I kemi dërguar letër komunave për bashkëpunim

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tek sa ka folur për çështjen e ndërtimit të çerdheve, ka deklaruar se u ka nisur sot, më 17.05.2024 një letër kryetarëve të komunave të Kosovës për të kërkuar bashkëpunim lidhur më këtë çështje.

Sipas saj sa i përket infrastrukturës është në përgjegjësinë e komunave dhe të dërgojnë kërkesat për ndërtimin e çerdheve.

“Sa i përket infrastrukturës fizike në bazë të legjislacionit në fuqi është në kompetencë dhe përgjegjësi e komunave që të sigurojnë legjislacionin dhe të dërgojnë kërkesat formale për ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve”.

“Sot kam nisur një letër tek të gjithë kryetarët e komunave për të kërkuar angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre në ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve. Përmes kësaj letre kam kërkuar që të angazhohen personalisht, në mënyrë që të pranojmë kërkesat e kompletuara që të vazhdojmë në procese tjera”- u shpreh Nagavci.

Nagavci për mosndërtimin e çerdheve të premtuara e ka arsyetuar si mungesë të kërkesave nga komunat si dhe mospërmbushjen e kërkesave formale dhe ligjore nga to.

Ajo po ashtu ka thënë se presin nga komunat të sigurohen lokacionet për ndërtimin e çerdheve dhe të kopshteve për fëmijë.

“Është shumë e rëndësishme që komunat të marrin me prioritet sigurimin e lokacioneve të përshtatshme në mënyrë që ndërtimi i çerdheve dhe kopshteve të fillojë sa më parë’ – tha Nagavci.

Ajo tutje shtoi se gjatë vitit të kaluar kanë hartuar katër projekte modulare, të cilat tha se i kanë vënë në dispozicion të komunave për t’i përshtatur me lokacione.

“Projektet modulare i kemi finalizuar si projekte, ofrojnë disa përparësi duke përfshirë kohën e shkurtër, fleksibilitetin, qëndrueshmërinë e ndërtimit, nivel më të ulët të ndotjes akustike, më shumë siguri për fëmijët”- ka thënë ajo.

Zv/ministri Taulant Kelmendi në këtë konferencë ka treguar se nga janari i këtij viti kanë vetëm pesë kërkesa nga komunat dhe ka inkurajuar komunat që të bëjnë kërkesa të reja për ndërtimin e çerdheve.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 08.02.2023 kishte folur për çështjen e ndërtimit të shkollave për fëmijët shqiptarë në veri të Kosovës.

Nagavci kishte thënë se për ketë çështje edhe për premtimin për ndërtimin e 160 çerdheve, është e vetëdijshme që duhet të punohet më shumë.

Ajo ka thënë se janë bërë hapa para sa i përket planifikimit për këto ndërtime.