Avokati i Salih Mustafës: Trupi gjykues selektiv në vlerësimin e deklaratave të dëshmitarëve

Avokati Julios Von Bone shprehu bindjen se gjykimi dhe dënimi ndaj Salih Mustafës ishin të pasakta, të pashpërbera, dhe se trupi gjykues nuk ka zbatuar standarde të drejta në vlerësimin e dëshmive të dëshmitarëve.

“Kur një gjykatë nuk i vlerëson provat në mënyrë të barabartë, kjo shkon në dëm të të akuzuarit dhe nuk mund të ketë një aktgjykim të plotfuqishëm, qasja jo e barabartë dhe e njëanshme nuk mund të quhet e vlefshme”- ka deklaruar von Bone.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca e Apelit në çështjen ndaj ish-komandantin të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Ish-komandant “Cali” ka apeluar aktgjykimin e dhënë nga trupi gjykues në dhjetor të vitit 2022, ku u gjet fajtor dhe u dënuan me 26 vjet burgim për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri.

Mbrojtësi Julios Von Bone konsideroi se trupi gjykues ka shfaqur një mungesë të dukshme të balancës në vlerësimin e dëshmive, duke selektuar vetëm dëshmitë që ishin kundër Salih Mustafës dhe duke neglizhuar ato që nuk e akuzonin për ndonjë krim.

“Kjo mungesë e balancës është aq e dukshme, kur bëhet krahasimi mes dëshmitarëve që i kanë aprovuar apo i kanë refuzuar akuzat”- tha Von Bone.

Ai theksoi gjithashtu se gjykata ka privilegjuar dëshmitë që përshtateshin me akuzat e Prokurorisë, ndërsa ka refuzuar si të pabaza dëshmitë e dëshmitarëve që kanë këmbëngulur se nuk e kanë parë asnjëherë Sali Mustafën të ketë keqtrajtuar dikë.

Në lidhje me dëshminë e dëshmitarit të propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Sejdi Veseli, Von Bone theksoi se kjo dëshmi është interpretuar gabimisht si një mbrojtje e vlerave të UÇK-së. Ai argumentoi se Veseli thjesht i ishte përgjigjur pyetjeve dhe se mbrojtja e vlerave të UÇK-së është e natyrshme për shumicën e banorëve të Kosovës, të cilët luftuan për pavarësinë e tyre.

Avokati përmendi gjithashtu faktin se trupi gjykues kishte mohuar të marrë në konsideratë dëshmitë e dëshmitarëve që përshkruanin një vendndodhje tjetër, ndërsa akuzat dhe gjykimi janë përqendruar vetëm në një vend.

Kjo, sipas tij, e ka çuar në një vlerësim të padrejtë dhe jo të barabartë të vendimit.

Gjithashtu, Von Bone argumentoi se qasja e trupit gjykues ishte e njëanshme dhe kjo ka shkuar në dëm të të akuzuarit, duke kërkuar kështu një rivlerësim të plotfuqishëm të rastit.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022 ku Trupi Gjykues e shpalli  Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023.

Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.