Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

Avokati Besnik Berisha, një ish-polic e dy persona të tjerë dyshohen për ndikim në një rast të fajdeve

Në një operacion policor të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Ferizaj gjatë ditës janë shoqëruar në polici gjashtë persona, katër prej tyre janë arrestuar nën dyshimet për tri vepra penale.

Nga të arrestuarit është edhe avokati Besnik Berisha, një ish-zyrtar policor dhe dy persona të tjerë.

KALLXO.com mëson se të dyshuarit janë arrestuar për një rast të fajdeve, ndërsa rastin ka qenë duke e hetuar nga Drejtoria për Krimet e Rënda në polici së bashku me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Siç mëson KALLXO.com, disa persona nga grupi dyshohen si sekserë, pasi kanë pranuar para për të ndikuar në rast.

Burime të KALLXO.com kanë thënë se personat të cilët kanë qenë në paraburgim kanë ofruar shuma të ndryshme të parave duke filluar nga 50 mijë deri në 100 mijë euro që të dalin nga paraburgimi në lidhje me rastin e fajdeve.

KALLXO.com raportoi sot në lidhje me aksionin e policisë të udhëhequr nga prokuroria në Ferizaj, e në të cilin është arrestuar edhe avokati Berisha.

Avokati Besnik Berisha, ish-polici N.Xh., dhe dy persona të tjerë I.S., dhe R.C., dyshohen për dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, pengim i të provuarit dhe ushtrim ndikimi.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me avokatin e Besnik Berishës, Naim Rudari.

Shkurt, Rudari tha se së bashku me klientin e tij janë në stacion policor dhe ende nuk ka ndonjë vendim në lidhje me rastin.