Punime në rrugë - Foto: Rtv21

Auditori gjen se në të paktën shtatë projekte Ministria e Infrastrukturës kishte pasur vonesa në kryerjen e punimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në të paktën shtatë projekte, ka pasur vonesa në kryerjen e punimeve.

Sipas ZKA-së, në projektin ‘Ndërtimi i tranzitit në Malishevë LOT1’ në vlerë prej 952 mijë e 026 euro, kontrata ishte nënshkruar me 14 qershor 2019. Sipas kësaj kontrate, data e fillimit të punimeve ishte me 4 korrik 2019 ndërsa përfundimi i saj ishte për 180 ditë pune. Kurse deri në fund të vitit 2022, sipas ZKA-së, punimet janë kryer për vetëm 13% të vlerës së kontratës.

‘Rehablitimi i rrugës Rajonale R-108, segmenti II’ është një tjetër projekt që sipas ZKA-së, ka pasur vonesa. Kontrata e kishte vlerën e 3 milionë e 789 mijë e 533 eurove dhe ishte nënshkruar me 9 korrik 2019. Sipas kontratës, data e fillimit të punëve ishte me 28 korrik 2019 dhe përfundimi i tyre për 705 ditë pune, ose rreth 25 muaj. Aneks kontrata ishte nënshkruar me 23 shtator 2021 në vlerë prej 378 mijë e 593 eurove, me afat prej 120 ditë punëve.

Auditori ka gjetur se deri në fund të vitit 2022 ishin kryer vetëm 66% e vlerës së kontraktuar.

18 milionë e 468 mijë e 427 euro ishte vlera e kontratës për ‘Ndërtimi i autoudhës A7.1 Dheu – Bardhë – Udhëkryqi Bresic LOT1’, që sipas ZKA-së gjithashtu kishte vonesa në kryerjen e punimeve.

Kontrata ishte nënshkruar me 13 shkurt 2018 dhe afati kohor për përfundimin e punimeve ishte 30 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Gjithashtu, për këtë projekt ishte nënshkruar edhe një aneks kontratë me 14 qershor 2019 në vlerë prej 1 milion e 843 mojë e 392 euro me afat 60 ditë për realizim të punimeve. Sipas ZKA-së, deri në fund të vitit 2022 ishin kryer 73% të punimeve në këtë projekt.

Projektet tjera që ka pasur vonesa në kryerjen e punimeve, sipas ZKA-së, janë ‘Furnizimi dhe instalimi i pajisjeve sinjalizuese ndriquese, numëruesve automatik radar si dhe i pajisjeve radar vetëdijësues me vlerë 302,674 euro; ‘Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N9, segmenti Pejë – Kuqishtë’ në vlerë 390,294 euro; ‘Renovimi i objektit të Departamentit për menaxhim të rrugëve DMRR’ në vlerë 155,277 euro; ‘Asfaltimi i rrugës lokale në nga kryqëzimi N25 – Grejkoc – Rrafshi i Livadheve’ në vlerë 2 milionë e 980 mijë e 445 euro.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raport ka thënë se vonesat e theksuara në projekte janë pasojë e problemeve me shpronësimin e tokave, elaborati i pakompletuar i shpronësimit, gabimet në projektin ekzekutiv, projektet gjatë realizimit të punëve kanë rezultuar se nuk përshtaten me gjendjen e terenit, mungesa e mjeteve buxhetore dhe inflacioni.

“Vonesat në përfundimin e projekteve ndikojnë që ministria të mos arrijë objektivat e përcaktuara, vështriësi në qarkullimin e qytetarëve në rrugët e caktuara si dhe mund të shkaktojë vështirësi buxhetore për vitet pasuese” – thuhet në raport.

ZKA-ja ka dhënë rekomandim për ministrin, duke thënë se uhet të sigurojë se para inicimit të projekteve paraprakisht të kryhet procesi i shpronësimit të tokave në të cilat parashihet realizimi i projekteve si dhe t’i kushtohet rëndësi përpilimit të projekteve ekzekutive.

Me këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ministria është pajtuar.

Ndërsa në në krahasim me vitin paraprak, nga 25 rekomandime kryesore që i ishin bërë Ministrisë, sipas ZKA-së, shtatë prej tyre ishin zbatuar, një rekomandim më nuk ishte i aplikueshëm dhe tre ishin zbatuar pjesërisht. Ndërsa 14 rekomandime të tjera nuk ishin zbatuar.

Raportin e plotë të auditimit për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2022 mund ta gjeni KËTU.