Komuna e Suharekës - Foto: Facebook / Komuna Suharekë

Asambleja Komunale e Suharekës themelon Teatrin e Qytetit

Javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Suharekës ka votuar për themelimin e teatrit të këtij qytetiKërkesa për themelim të Teatrit të Qytetit të Suharekës është iniciuar nga Astrit Bytyqi, Burhan Sejdiu dhe Butrint Lumi. 

Regjisori Astrit Bytyqi, njëri nga iniciuesit për themelimin e teatrit të Suharekës, ka thënë për KALLXO.com se kërkesa për themelimin e Teatrit të Qytetit në Kuvendit Komunal ishte dërguar në muajin mars të këtij viti, por, siç ka thënë ai, për shkak të pandemisë mbledhja e asamblesë komunale nuk ishte mbajtur deri javën që shkoi. 

“Më 20 maj, Asambleja Komunale mbajti mbledhjen e radhës dhe si pikë e rendit të ditës ka qenë edhe kërkesa jonë për themelim të teatrit, ku me 20 vota për dhe 4 abstenime është votuar themelimi i Teatrit ne Suharekë”, ka thënë Bytyqi. 

Ai ka thënë se objekti ku do të veprojë teatri planifikohet të jetë gati në 2021 dhe parapëlqejnë që teatri të emërohet me emrin e regjisorit të ndjerë kosovar, Bekim Lumi, i cili vjen nga kjo komunë. 

“Hapin e parë sipas ligjit qe i përket komunës është marrë që të votohet në asamble themelimi i teatrit dhe tash duhet të takohemi dhe të shohim se si do të vazhdojmë me procedura tjera deri në finalizimin  e plotë të funksionalizimit të Teatrit. Ndërsa për emër vendoset në asamble”,  ka thënë Bytyqi. 

Ligjërisht, themelimi i teatrove të qyteteve bëhet nga asambletë komunale të qyteteve, ndërsa kriteret për themelimin përcaktohen me akt nënligjor nga Ministria e Kulturës. 

Teatrot e qyteteve themelohen me vendim të Asamblesë Komunale. Komuna nuk mund të themelojë më shumë se një teatër të qytetit me status publik. Kriteret për themelimin e teatrove kombëtare dhe teatrove të qyteteve përcaktohen me akt nënligjor të nxjerr nga Ministria përkatëse për kulturë”, thuhet në Ligjin për Teatrot.