Foto: Nisma Socialdemokrate/Facebook

Arsyetimi i Gjykatës për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj doktorit që dyshohet se mori ryshfet

Sami Delijajt, mjekut të arrestuar më 4 shtator në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për marrje ryshfeti i është caktuar masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata e Prishtinës.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e gjykatës që përmban arsyetimin për caktimin e një mase të tillë.

Sipas këtij vendimi del që gjykata ka vlerësuar se nëse i akuzuari ndodhet në liri të plotë ekziston rreziku që i njëjti të arratiset dhe të jetë i paarritshëm.

Gjithashtu gjykata ka vlerësuar se i njëjti mund të ndikojë në të dëmtuarit dhe dëshmitarët si dhe të pengoj rrjedhën e procedurës.

Ndërkaq kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit e ka cilësuar si të pabazuar.

Sipas vendimit të gjykatës, arresti shtëpiak është masë me të cilën mund të arrihet qëllimi i sigurimit të prezencës së të dyshuarit në procedurë.

Në arsyetim thuhet se në seancën dëgjimore i dyshuari Sami Delijaj ka deklaruar se pacienti për të cilin bëhet fjalë nuk ia din as emrin.

“Pacienti për të cilin nuk ia dinë as emrin e po ashtu përcjellësi apo i afërmi i tij të cilin e ka parë vetëm në momentin e operacionit dhe ditën e pardjeshme kurrë nuk e ka kontaktuar dhe nuk është kontaktuar tani ia mëson emrin” – ka thënë i dyshuari në seancë dëgjimore sipas vendimit të gjykatës.

Gjithashtu në arsyetim thuhet se i njëjti ka përmendur faktin se mban pozitën e ekspertit mjekësor në KGJK.

Kurse avokati Kujtim Kërveshi i cili është mbrojtës i të akuzuarit në këtë procedurë gjatë seancës dëgjimore e ka quajtur kërkesën e Prokurorisë si “konfuze”.

Sipas dosjes në deklaratën e tij Kërveshi kishte thënë se Prokuroria në kërkesën e parashtruar për masën e paraburgimit ka theksuar se “gjoja me datën 01.09.2023 dr Sami Dalijaj të ketë negociuar e ti ketë kërkuar ryshfet personit XH.P dhe atë ditë ti ketë pranuar 300 euro me arsyetimin e kërkesës prokuroria thekson se kërkesën për masa të fshehta e ka të datës 04.09.2023, pra 3 ditë më parë”.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake – Sulltane Hoti.

Shumën prej 450 eurosh, sipas prokurorisë me prokurore të çështjes në procedurë paraprake Fitore Sadikaj, Delijaj e kishte kërkuar pasi kishte operuar pacientin R. M., me qëllim që vetes t’i sillte përfitim pasuror të kundërligjshëm, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar-mjekut ortoped në QKUK.

Pas negocimit me të dëmtuarin, Delijaj ishte pajtuar dhe kishte marrë shumën prej 300 eurosh, thuhet në dosjen e prokurorisë së datës 5 shtator.

Sipas dosjes së prokurorisë, Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kishte kërkuar ndërmarrjen e masave të fshehta hetimore përfshirë vëzhgimin fotografik ose me video në vende publike si dhe monitorimin e fshehtë në këto vende.

Veprimet e ndërmarrja janë bërë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrje e ryshfeti”, nga ortopedi Sami Delijaj.

Këtë dyshim, prokuroria e bazon në 2 CD me incizim të masave të fshehta dhe deklaratën e dëshmitarit Xh.P.