Foto: Nisma Socialdemokrate/Facebook

Kërkohet paraburgim për mjekun që dyshohet se mori ryshfet

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar nga Gjykata që t’i caktohet masa e parabrugimit për 1 muaj mjekut Sami Delijaj, i cili dyshohet se ka marrë para me ryshfet.

“Lidhur me këtë çështje penale, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës kompetente, ndaj S.D., për shkak të veprës penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së” –  thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com

Mjeku i dyshuar është arrestuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Mjeku Sami Delijaj në vitin 2018 i ishte bashkuar partisë NISMA Socialdemokrate.

Lidhur me këtë, KALLXO.com kishte kontaktuar me Albert Maxhunin nga NISMA Socialdemokrate.

Ai kishte thënë se Delijaj asnjëherë nuk ka pasur ndonjë pozitë drejtuese dhe as nuk kishte qenë në strukturë të partisë.

“Sami Delijaj nuk ka pas ndonjëherë ndonjë pozicion në NISMA. Ai nuk ka garu e as nuk ka marrë pjesë në organet drejtuese të NISMA-s, po tash a e ka votu, a e ka mbështet NISMA-n, atë mundet me bo çdo qytetar i lirë” – kishte thënë ai.

Në njoftimin e Prokurorisë për ndalimin e mjekut është thënë se në koordinim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale.