Foto: Nisma Socialdemokrate/Facebook

Sot pritet të merret vendimi nga Gjykata për mjekun që dyshohet se mori ryshfet

Prokuroria e Prishtinës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaj ndaj mjekut, Sami Delijaj të dyshuar lidhur me veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast ka përfunduar në Gjykatën e Prishtinës në departamentin e  Krimeve të Rënda.

Gjykata gjatë ditës pritet të merr vendim lidhur me kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Policia e Kosovës dy ditë më parë kishte arrestuat një mjek nën dyshimin se ai ka kryer veprën penale marrje ryshfeti. Mjeku i dyshuar është arrestuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas raportit 24-orësh policor, nga mjeku i arrestuar janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale një shumë e të hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore.

Mjeku Sami Delijaj në vitin 2018 i ishte bashkuar partisë NISMA Socialdemokrate.

Lidhur me këtë, KALLXO.com kishte kontaktuar me Albert Maxhunin nga NISMA Socialdemokrate.

Ai kishte thënë se Delijaj asnjëherë nuk ka pasur ndonjë pozitë drejtuese dhe as nuk kishte qenë në strukturë të partisë.

“Sami Delijaj nuk ka pas ndonjëherë ndonjë pozicion në NISMA. Ai nuk ka garu e as nuk ka marrë pjesë në organet drejtuese të NISMA-s, po tash a e ka votu, a e ka mbështet NISMA-n, atë mundet me bo çdo qytetar i lirë” – kishte thënë ai.

Në njoftimin e Prokurorisë për ndalimin e mjekut është thënë se në koordinim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale.

Kërkohet paraburgim për mjekun që dyshohet se mori ryshfet