Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Arrijnë në Kosovë mbi 330 trupa të KFOR-it nga Britania e Madhe dhe Rumania

Pas sulmit terrorist që u krye ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon, misioni  i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se ka shtuar numrin e ushtarëve. 

Numri i trupave është shtuar për të forcuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe për patrullimin përgjatë vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

KFOR ka thënë se një kontingjent prej 200 ushtarësh britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit dhe më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania kanë mbërritur në Kosovë dhe i janë bashkuar kontingjentit të Britanisë së Madhe, 400 të dislokuar tashmë, për të përforcuar NATO-n në Kosovë. 

Dislokimi i këtyre trupave u tha se bazohet në një kërkesë të komandantit suprem të aleatëve të NATO-s në Europë dhe u miratua nga aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut si një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. 

KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4 mijë e 500 trupa, që vijnë nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit një grup terrorist kreu sulm ndaj Policisë së Kosovës. I vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku, e përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe.